Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pesë ekipet e para me diferencë të vogël pikësh

Kanë mbaruar ndeshjet e përfaqësueseve për këtë vit, ndërsa Premier League është në prag të ndeshjeve të zjarrta.

Në Premier League, në fundjavë do të zhvillohet xhiroja e 12, ndërsa pesë ekipet e para kanë diferencë mes vete prej vetëm gjashtë pikëve.

Leicester City do të jetë nikoqir i Chelseat, kurse Liverpooli luan kundër Arsenalit në “Anfield”.

Të dyja këto ballafaqime do të luhen të shtunën, në orën 13:30 dhe në orën 18:30.

Leicesteri synon që ta vazhdojë serinë pa disfata kundër Chelseat në shtëpi. Nuk i ka humbur tri të fundit, ka një fitore e dy barazime.

Sidoqoftë, Chelsea sivjet është krejtësisht ndryshe. Ka sulm të jashtëzakonshëm me 27 gola dhe mbrojtje të hekurt, pasi ka pranuar vetëm katër gola sivjet. Tri ndeshjet e fundit në Premier League si mysafir i ka fituar të gjitha, me goldallim 7:0.

Liverpooli synon që të kthehet sërish në krye të tabelës e pse jo ta përsërisë suksesin e triumfit në ligë. Mohamed Salah është njeriu në formë te kjo skuadër, ndërsa Arsenalin e ka kundërshtarin e pëlqyer. Është përfshirë në nëntë gola në Premier League kundër këtij ekipi. I ka shënuar shtatë gola dhe ka asistuar në dy raste tjera për bashkëlojtarët.

Nga ana tjetër, “revolveristët” po kalojnë po ashtu formën më të mirë në Premier League aktualisht. Janë në seri prej tetë ndeshjeve pa disfatë, me gjashtë fitore e dy barazime.

Manchester City, që është kampion në fuqi në elitën e futbollit anglez, do ta mbyllë xhiron e 12 me ballafaqimin kundër Evertonit të dielën në orën 15:00.

City i udhëhequr nga Pep Guardiola i ka fituar shtatë ndeshjet e fundit në Premier League kundër Evertonit, duke ia shënuar 21 gola, ndërsa ka pranuar vetëm pesë sosh.

Artikuj të ngjashëm