Përzgjedhësi i Zvicrës në basketboll, Ilias Papatheodorou, pas disfatës së pësuar nga Përfaqësuesja e Kosovës të mërkurën mbrëma, theksoi se “Dardanët” e fituan me meritë ballafaqimin. Kosova fitoi ndaj Zvicrës me rezultatin 76:49.
Ishte ndeshja e parë e raundit të tretë të parakualifikimeve për “Euro 2025”. Ndeshja i ka takuar Grupit H.
“Fillimisht, desha ta përgëzoj Kosovën. E ka merituar fitoren. Pas çerekut të parë, ne thuajse u zhdukëm nga loja. Humbëm çdo duel një kundër një. Edhe në sulm nuk patëm paraqitje të mirë, patëm shumë gabime. Kosova e shfrytëzoi këtë dhe i shënoi aksionet që i pati. Në fund e fitoi ndeshje. Sa i përket skuadrës time, nuk e prisja që do të paraqiteshim kështu, nuk pati të bënte me lojën e Kosovës”, ka thënë pas ndeshjes për “ArtMotion” selektori Papatheodorou.