Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Personalitetet 2021/ Distria Krasniqi: Sakrifikuesja

Ka sakrifikuar shumë për karrierën sportive. Por shpërblimin e mori gjatë këtij viti.

Xhudistja Distria Krasniqi e ka ndërtimin trupor për të garuar në kategorinë deri 52 kilogramë. Por në këtë kategori Kosova e kishte një kampione olimpike me Majlinda Kelmendin. Në Olimpiadë nga një vend mund të garojë vetëm një xhudiste. Për të ndjekur ëndrrën olimpike, Distria ra në kategorinë deri 48 kilogramë. Dhe për ta mbajtur peshën deri në 48 kilogramë i është dashur të sakrifikonte shumë. Me shumë mund ia ka dalë të stabilizojë peshën për këtë kategori, ndërsa ka pasur raste kur i është dashur që për kohë të shkurtër të heqë shumë kilogramë.

Disa gara, duke përfshirë një Evropian, i kishte humbur për shkak të peshës. Gramët nuk po i hiqte dot.

Sakrifica, megjithatë, i është shpërblyer dhe po i shpërblehet. Distria këtë vit ka fituar medaljen më të vlefshme në sport – të artën olimpike. Në kategorinë deri 48 kilogramë, pra. Është shpallur edhe xhudistja më e mirë në botë për vitin 2021. Ka fituar edhe medalje të artë evropiane.

Pas Tokios, Distria vendosi të kthehej në kategorinë deri 52 kilogramë. Majlinda u pensionua dhe tani Distria kërkon sukseset kulmore në këtë kategori. Peshën nuk pritet ta ketë problem. Dhe mund të hajë më shpesh ushqimet që i ka për qejfi.