Lamtumirë me shumë emocione për dy ikonat e futbollit gjilanas, kapitenin e Gjilanit, Alban Hysenin dhe atë të Dritës, Artan Latifin, që u përshëndetën nga futbolli aktiv këtë fundjavë.
Ashtu siç e kishin ëndërruar, dy liderët e skuadrave gjilanase u tërhoqën në derbin e zjarrtë lokal.
Pas 20 vjetësh karrierë, Hyseni dhe Latifi edhe zyrtarisht i dhanë fund karrierës së tyre.
Hyseni të 20 vitet i kaloi te ekipi i Gjilanit. Mbrojtësi nuk luan për afro një vit megjithatë vetëm këtë të shtunë u pensionua zyrtarisht.
Edhe Latifi u përshëndet pas 20 viteve futboll. Për dallim nga Hyseni që i qëndroi besnik Gjilanit gjatë dy dekadave, portieri Latifi ishte larguar për pak vite nga skuadra e Dritës. Nga viti 2007 deri më 2010, Latifi ishte pjesë e Besianës, KEK-ut e Hysit për tu kthyer sërish te Drita.
Portieri ndjehet i lumtur edhe për faktin se e kishte fituar derbin në debutim dhe e fitoi edhe të fundit në karrierën e tij.
Për nga numri, Hyseni ka më shumë derbi të përjetuar se sa Latifi, megjithatë që të dy kanë derbit më të veçantë që gjithmonë do të zënë vend të rëndësishëm në jetën e tyre.
Alban Hyseni është pjesë e shtabit teknik te Gjilani dhe derbit e fundit po i përjeton nga banka. Ish-mbrojtësi tregon a ka qenë më e vështirë kur ka luajtur apo tash si ndihmës trajner.
Për dallim nga Hyseni, Latifi do të jetë larg skuadrës, së paku për një kohë pasi do të largohet nga Kosova.
Karriera e çdo futbollisti ka fillimin dhe fundin e saj. E shtuna e 20 majit do të kujtohet gjithmonë në qytetin e Gjilanit. Pa dyshim, Hyseni dhe Latifi kanë gdhendur emrat e tyre përkrah emrave të mëdhenj të futbollit gjilanas dhe atij kosovar.