Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Përplasje stilesh, Juventusi defensiv viziton Interin ofensiv

Liga e Kampionëve përsëri ofroi dramë, me rikthime të pabesueshme dhe gola të shumtë që u shënuan këtë mesjavë. Dhe aty ishte edhe Juventusi.

Skuadra e Massimiliano Allegrit shënoi një fitore tjetër 1:0 ndaj Zenitit në udhëtim, e katërta rresht me rezultatin minimal në të gjitha garat.

Të dielën, mbrojtja e Juventusit do të përballet me një test më të ashpër, kundër sulmit të kampionit në fuqi të Serie A, Interit, në ndeshjen që ndryshe njihet si “Derby d’Italia”. Ky duel zhvillohet prej orës 20:45 dhe i takon xhiros së nëntë të kampionatit italian. Pesë ndeshjet e fundit të Interit në kampionat kanë prodhuar 22 gola. Madje, në duelin e vikendit të shkuar, Interi triumfoi 6:1 ndaj Bolognas përpara se të mposhtte Sheriffin 3:1 në Champions. Për Interin ishte fitorja e parë në këtë garë, ndërsa Juventusi ka tri fitore nga po aq ndeshje dhe nuk ka pranuar ende gol.

Duke hyrë në përplasjen e stileve të lojës të dielën, Juventusi është i bindur se është në rrugën e duhur pas një fillimi të vështirë nën drejtimin e Allegrit, i cili u kthye në klub dy vjet pasi u largua. “Bianconerët” ngadalë po ngjiten në tabelë dhe janë në pozitën e shtatë, tri pikë prapa Interit që është i treti, por dhjetë pikë prapa liderit, Napoli, i cili ka fituar të gjitha ndeshjet deri më tani.

“Menjëherë pas fitores në Rusi i gjithë fokusi ynë është kthyer kah ndeshja me Interin, pasi duam të rikuperojmë të gjitha pikët që i kemi lëshuar në javët e para të këtij edicioni. Na pret një ndeshje madhështore, në të cilën edhe fitorja 1:0 do të jetë shumë e rëndësishme”, ka paralajmëruar qendërmbrojtësi i Juventusit, Leonardo Bonucci. “Jemi në rrugë të mirë kohët e fundit, pasi po tregohemi të durueshëm dhe po mundohemi t’i fitojmë ndeshjet pa pranuar gol. Edhe të dielën do të mundohemi të tregojmë karakterin tonë si grup dhe të vazhdojmë me ritmin e fitoreve, ndonëse nuk do të jetë aspak lehtë”.

Bonucci së bashku me mbrojtësit e tjerë të Juventusit do të ketë punë për ta ndalur sulmin e Interit, të cilit i prin boshnjaku Edin Xheko. Xheko iu bashkua Interit para fillimit të këtij edicioni për të zëvendësuar Romelu Lukakun, i cili iu bashkua Chelseat, dhe këtë po e bën me mjaft sukses. Xheko është golashënuesi më i mirë i Interit deri më tani, me gjashtë gola në tetë ndeshje kampionale dhe në total ka shtatë gola në 11 paraqitje.

Edhe Juventus – Inter, derbi i Serie A Futboll Juventus – Inter, derbi i Serie A

“Titulli nuk fitohet në muajin tetor apo nëntor. Interi dhe Juventusi këtë e dinë shumë mirë. Megjithatë, nëse humb pikë në këtë derbi, atëherë do të kesh vështirësi në rikuperimin e tyre. Golin tim të parë në Itali e kam shënuar kundër Giorgio Chiellinit, por është shumë vështirë të përballesh më të, pasi është ndër mbrojtësit më të mirë në dekadën e fundit”, është shprehur Xheko. “Të dielën mund edhe të mos shënoj gol, pasi mjafton vetëm fitorja e ekipit. Ne jemi një ekip ofensiv dhe këtë lojë do ta aplikojmë edhe kundër Juventusit, i cili më shumë është i fokusuar në kundërsulme”.

Interi e fitoi titullin e kampionit edicionin e shkuar duke i dhënë fund dominimit të Juventusit në Itali prej nëntë vjetëve rresht. Juventusi mezi u kualifikua në Ligën e Kampionëve duke e siguruar pozitën e katërt në xhiron e fundit. Megjithatë, shumë gjëra kanë ndryshuar nga edicioni i shkuar. Juventusi nuk e ka më trajner Andrea Pirlon e as Cristiano Ronaldon në përbërje, ndërsa edhe tek Interi më nuk është Antonio Conte që është zëvendësuar me Simone Inzaghin.

Juventusi do të jetë i motivuar nga kthimi i Paulo Dybalas, i cili është rikuperuar nga lëndimi që e mbajti për një muaj jashtë fushe.