Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Përgjegjësit e FFK-së nuk e dinë nëse stadiumi në Gjilan është i pranuar

Kreytari i Komisionit për inspektimin e objekteve sportive, Isak Rakovica nuk e di nëse stadiumi i qytetit të Gjilanit është i pranuar apo jo për t’u zhvilluar ndeshje futbolli. Ai madje nuk e di edhe për incidentin e rëndë që ka ndodhur në derbin e luajtur në mes të Gjilanit dhe Ballkanit, ku portieri i këtij të fundit, Stivi Frashëri u sulmua nga dy huliganë.

s“Nuk e di rastin që paska ndodhur dhe e dyta do të shikoj nesër a është i pranuar apo jo”, ka thënë Rakovica të dielën për KOHËN.

Stadiumi i qytetit në Gjilan është në proces të rinovimit. Punët është dashur të përfundojnë dy vjet më parë, por janë ende larg përfundimit. Shkaku i punimeve, stadiumi i qytetit, përkatësisht dy tribunat pas portave nuk kanë rrethoja. Dhe ato mund të kalohen fare lehtë për të hyrë në fushë.

Nga klubet që e shfrytëzojnë këtë stadium është vlerësuar se nuk i plotëson kushtet për ndeshje. Por si Gjilani ashtu edhe Drita kanë vazhduar t’i zhvillojnë ndeshjet me leje të Federatës së Futbollit të Kosovës, përkatësisht Komisionit për inspektimin e objekteve sportive. Komisioni përbëhet nga kryetari Isak Rakovica dhe tre anëtarët, Refki Osmani, Bedri Avdiu dhe Fetah Mehana. I njëjti komision të shtunën lejoi që ndeshja në mes të Prishtinës dhe Llapit të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Konstatoi se fusha është në gjendje të mirë për zhvillimin e ndeshjes.