Ka vite që Distria Krasniqi është top-xhudiste botërore. Por 2020-a është viti i parë që ajo e përfundon në vendin e parë në ranglistën botërore.
Federata Evropiane e Xhudos të martën ka publikuar një shkrim për Distrinë, që në vitin 2021 do të hyjë si lidere e ranglistës botërore dhe olimpike në kategorinë deri 48 kilogramë. Është kategoria ku ajo garon së fundi dhe ku kërkon lavdinë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoXhudistja pejane është e bindur se do të qëndrojë gjatë në pozitën e parë të ranglistës botërore. Është po ashtu e vendosur që të fitojë medalje olimpike, që do të ishte kulmi i karrierës së saj. 25-vjeçarja këtë vit ka fituar tri medalje në aq gara. Ishte e artë në Grand Slamin e Parisit në muajin shkurt. Prej shkurtit gara elitare nuk u mbajtën deri në tetor. Ajo u kthye fuqishëm me të artën në Grand Slamin e Hungarisë, më 23 tetor. Më 19 nëntor fitoi medaljen e bronztë evropiane.
Krasniqi udhëheq në ranglistën botërore me 7115 pikë, që fitohen në bazë të suksesit nëpër gara. Është para Daria Bilodidit, yllit ukrainas të xhudos. Japonezja Funa Tonaki është e treta. Janë këto xhudiste që do të luftojnë për medalje olimpike në Lojërat e shtyra të Tokios.
“Është hera e parë që jam e para në fund të vitit në ranglistën botërore. Disa vjet kam përfunduar e dyta dhe e treta në ranglistë, por tani jam e para. Është një ndjenjë shumë e mirë. Po më shpaguhet mundi që e kam bërë gjatë karrierës. Po ashtu, është një motivim për mua dhe më ka dhënë më shumë vetëbesim për vitin që po vjen dhe për garat e ardhshme. Do të mundohem ta mbaj vendin e parë në ranglistë edhe më tutje”, ka theksuar Distria Krasniqi për KOHËN, të martën.
Menjëherë në janar, Distria do të kërkojë suksesin e radhës. Në Doha do të mbahet Mastersi, që mbledh xhudistët më të mirë nëpër kategori. Por synimet e Distrisë lidhen me garën që mbahet prej 24 deri më 31 korrik.
“Vetë fakti që jam e para në ranglistën botërore tregon që jam pretendente kryesore për medalje olimpike”, thotë Distria. Ajo nuk përmend xhudistë të tjera që i sheh rivale.
“Rivale nuk e shoh askënd, përveç vetes sime. Nëse unë jam mirë atë ditë mentalisht, pasi fizikisht mendoj se do të jem në top-formë, atëherë do të shkojë çdo gjë mirë. Pra, unë do të luftoj me veten që të përmirësohem çdo ditë deri në ditën e garës në Tokio”, ka shtuar Krasniqi.
Tokion nuk e largon nga mendja. I shërben për të motivuar veten pas stërvitjeve të vështira. Xhudistet e trajnerit Driton Kuka nuk kanë asnjëherë pushim. Nuk e ndalin rutinën e stërvitjes nga dy e tri herë në ditë. Afrimi i Lojërave Olimpike rrit kërkesat e trajnerit Kuka, por edhe motivin te vetë xhudistet.
“Garat në Tokio i mendoj çdo ditë. Sidomos në disa ditë kur jam shumë e lodhur për stërvitje, e motivoj veten duke menduar për Tokio. Kështu më vijnë vullneti dhe forca. Garat e tjera deri në Tokio i shoh si mësim dhe rrugë që duhet të kalohet deri në Olimpiadë”, thotë Distria Krasniqi.