Përfaqësuesja “A” e Kosovës në basketboll në konkurrencë të meshkujve do të grumbullohet në pjesën e dytë të muajit gusht, është njoftuar nga Federata e Basketbollit të Kosovës.
Përgatitjet do t’i udhëheq përzgjedhësi Christos Marmarinos, që do ta shohë nga afër formën e basketbollistëve.
“Grumbullimi është shumë i nevojshëm, sidomos për lojtarët që të jenë sa më shumë aktiv, në këtë kohë kur janë pezulluar aktivitetet sportive për shkak të pandemisë Covid-19. Në këtë grumbullim do të shihet edhe forma e tyre fizike, që është shumë e rëndësishme, sepse në muajin nëntor do të jemi mysafirë të Sllovakisë dhe Islandës, në para-kualifikimet evropiane për Botërorin 2023. Marmarinos e ka përkrahur idenë e grumbullimit dhe në vazhdimësi është duke e përcjellë formën e lojtarëve të Kosovës. Grumbullimi do të jetë një javor, i ngjashëm me përgatitjet e muajit shkurt dhe nëntor, ku do të ketë stërvitje përgatitore fizike dhe taktike, si dhe do të shikohet mundësia e angazhimit të një ndeshje miqësore. Grumbullimi do të mbahet në Prishtinë. Ne kemi filluar kampanjën për Botërorin 2023 me dy fitore dhe shpresojmë se, do të vazhdojmë me rezultate pozitive edhe në muajin nëntor dhe në shkurt të vitit të ardhshëm, kur do të kemi dy ndeshjet e fundit para-kualifikuese”, është shprehur drejtori i përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova.
Grumbullimi do të mbahet nëse situate e pandemisë COVID-19 përmirësohet në Kosovë, ka njoftuar federate.
Kosova në parakualifikime për Botërorin 2023, e ka mposhtur Islandën me 80:78 dhe Luksemburgun me 84:80.