Kosova është përballur me Suedinë në janar të vitit të kaluar. Por, si Kosova ashtu edhe Suedia luajtën me ekipet B. Ndeshjen miqësore që u zhvillua në Doha të Katarit, Kosova e pati humbur me rezultatin 1:0. Ndeshja e ardhshme me Suedinë ka vlerë të madhe dhe përfaqësueset do të paraqiten me përbërjet më të forta. Shumë pritet prej Valon Berishës te Kosova. Ai është i motivuar maksimalisht. “Suedia në atë kohë kur kemi qenë refugjatë, nuk na ka pranuar, na ka dëbuar në Norvegji. Edhe Norvegjia e ka një rivalitet të madh me Suedinë dhe kam arsye të dyfishtë për ta mposhtur”, thotë Berisha
Prishtinë, 7 mars – Valon Berisha nuk ka asnjë kujtim prej Suedisë. Ishte fare i vogël kur së bashku me familje u dëbua nga Suedia për në Norvegji, shtetin tjetër skandinav ku edhe u rrit dhe u zhvillua si profesionist në futboll.
Berisha, tani mesfushor i rëndësishëm te Kosova, u lind në Malmo të Suedisë, ndërsa u rrit në Egersund të Norvegjisë. Në sport, Suedia dhe Norvegjia kanë rivalitet goxha të madh. Por Suedia rivale do ta ketë Kosovën këtë muaj.
Suedezët janë kundërshtarët e parë të “Dardanëve” në ciklin e dytë kualifikues për Kampionatin Botëror prej se Kosova u pranua në UEFA dhe FIFA. Ndeshja hapëse e Kosovës në kampanjën kualifikuese për botërorin “Katari 2022”, ndaj Suedisë, zhvillohet më 28 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Berisha thotë se ka dy arsye për të shënuar fitore kundër përfaqësueses së shtetit ku lindi.
“Kam lindur në Suedi, por kam dëshirë ta mposht Suedinë. Suedia në atë kohë kur kemi qenë refugjatë, nuk na ka pranuar, na ka dëbuar në Norvegji. Edhe Norvegjia e ka një rivalitet të madh me Suedinë dhe kam arsye të dyfishtë për ta mposhtur”, ka thënë Berisha të dielën në një bisedë për KOHËN.
“Me Suedinë nuk kam pasur asnjë kontakt, gjithmonë kam qenë për Norvegjinë. E vetmja mundësi që e kisha atëherë ishte Shqipëria, por atëherë isha i ri, ndërsa tani zgjedhja më e mirë e imja është që kam zgjedhur të luaj për Kosovën. Zoti e ka shkruar që karriera ime të vazhdojë me Kosovën”.
Kosova është përballur me Suedinë në janar të vitit të kaluar. Por, si Kosova ashtu edhe Suedia luajtën me ekipet B të tyre. Ndeshjen miqësore që u zhvillua në Doha të Katarit, Kosova e pati humbur me rezultatin 1:0. Berisha nuk ishte në atë ndeshje.
Berisha gëzon respekt të madh nga Norvegjia. I llogaritet kontributi që ka dhënë për Norvegjinë. Do të mbetet si një prej lojtarëve që ka pasur mundësi të luajë për Norvegjinë në kohën kur vendosi për përfaqësuese tjetër. Në histori, Berisha do të mbetet edhe te Kosova për golin e parë të shënuar në një ndeshje zyrtare kualifikuese. Ai pati shënuar golin e parë për Kosovën ndaj Finlandës, ndeshje e 5 shtatorit të vitit 2016 që pati përfunduar 1:1. Ishte e para e eliminatoreve të para për Botëror, atë të vitit 2018. Por më pas Kosova radhiti të gjitha humbje, ndërsa Berisha thotë se në këtë cikël ka shpresa.
Mundësitë e Kosovës
Berisha është lojtari i vetëm që vendosi të luajë për Kosovën duke lënë një përfaqësuese tjetër në nivel senior, kur ishte pjesë e rëndësishme e saj. Vendimi ishte pritur me sportivitet nga Norvegjia, shtet të cilin vazhdon ta përfaqësojë vëllai i tij i vogël, Vetoni.
Valon Berisha luajti për Norvegjinë 20 ndeshje, kurse për Kosovën nga viti 2016 ka shënuar tri gola në 26 paraqitje.
Ai vlerësohet një prej lojtarëve lider të përfaqësueses kosovare. Ndërsa, pritjet nga ai janë edhe më të mëdha.
Para ndeshjes që e luan kundër Suedisë, Kosova do të përballet në Prishtinë më 24 mars me Lituaninë në miqësore. Më 31 mars Kosova luan në Sevilla kundër gjigantes së futbollit evropian, Spanjës.
Berisha thotë se kundër Spanjës ka pak gjasa për fitore, por jo edhe ndaj përfaqësueseve të tjera të Grupit B.
Pos Suedisë dhe Spanjës, Kosova në grup ka edhe Greqinë dhe Gjeorgjinë. Ndaj Greqisë luajti edhe në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve. Në Prishtinë humbi 2:1, ndërsa në Athinë barazoi pa gola.
“E shoh si një detyrë të vështirë, Spanja është favorite, Suedia si e dyta në grup. Por, unë besoj në forcat tona, kështu që çdo gjë është e mundur në futboll. Të gjithë e dimë fuqinë e Spanjës, që është një prej përfaqësueseve më të forta në futboll. Por, kundër ekipeve të tjera nuk them se assesi nuk mund të fitojmë. Ma merr mendja që me të gjitha shtetet e tjera kemi gjasat tona. Janë tri shtete që kemi mundësi ta tregojmë veten dhe të shënojmë fitore. Do të ishte sukses i jashtëzakonshëm vendi i dytë, por duhet ta shohim edhe realitetin. Jemi të varur me paraqitjet në klub, sepse kështu me përfaqësuese jemi qe një kohë së bashku. Por, na duhet të jemi në formë në klubet ku luajmë”, ka thënë futbollisti i skuadrës franceze, Reims.
Berisha nuk ka komentuar formën që po kalojnë në klubet e tyre bashkëlojtarët e tij te Kosova. Por, ai thotë se përfaqësuesja është inspirim i madh dhe se nuk ndikon forma që kalojnë lojtarët nëpër klubet e tyre.
“Përfaqësuesja është frymëzim për të gjithë ne, pra nuk është njëjtë të jesh në klub në super formë, sepse grumbullimi me përfaqësuese është një shtytje e mirë për të gjithë. Pra, ka pasur raste kur në klube nuk kanë pasur hapësirë, ndërsa për Kosovën kanë shkëlqyer. Por, tash edhe në klubet tona po tregojmë formë më të lartë dhe po paraqitemi më shumë”, është shprehur Berisha.
Synimi për të qëndruar gjatë në Francë
Rrugëtimi i Berishës si profesionist në futboll nisi te Egersundi në Norvegji. Luajti edhe për Vikingun, ndërsa nga viti 2012 deri në vitin 2018 u paraqit për Red Bull Salzburgun e Austrisë. Ai bëri hap të madh në karrierë duke kaluar nga Salzburgu te Lazio. Por, u largua pa lënë gjurmë nga Italia, ndërsa luajti në huazim te Fortuna Dusseldorfi.
Në vitin 2020 prishi kontratën me Lazion për të kaluar te Reimsi në Ligue 1 të Francës.
Për Reimsin në të gjitha garat ka luajtur 25 ndeshje, ndërsa ka shënuar një gol dhe ka kontribuar me tri asistime. Asistimin e fundit e bëri ditë më parë në fitoren ndaj Nantesit me rezultatin 2:1. Ishte edhe asistimi në golin e fitores të shënuar në fund të takimit.
“Po ndihem mirë, thuajse gjithë sezoni deri tash më ka shkuar mirë me përjashtim të fillimit të sezonit që pata një lëndim që më la jashtë fushës për 20 ditë. Kur u ktheva kisha nevojë ta kapi ritmin, por në ndeshjen e fundit u paraqita mirë dhe po kthehem në formë, sepse kam pasur që tri javë një problem të gjurit. Por, tash në ndeshjen e fundit jam ndier goxha mirë. Janë gjëra që ndodhin në futboll, kryesorja është që po luaj thuajse në të gjitha ndeshjet”, ka thënë Berisha.
Ai insiston se te Lazio nuk i eci me lëndime.
“Te Lazio nuk kam qenë mirë shkaku i lëndimeve të njëpasnjëshme. Por, kur kam pasur shëndetin mirë, në fushë kudo që kam luajtur nëpër klube kam qenë mirë, sepse kur të transferon ndonjë klub, të merr për të angazhuar. Këtu te Reimsi po e ndiej veten mirë. Edhe një plus është që Arbëri më ka ndihmuar shumë në fillim. Ka qenë vendim i mirë për mua, sepse me çdo kusht më kanë dashur në klub”, thotë ai.
Pjesë e Reimsit është edhe reprezentuesi tjetër i Kosovës, Arbër Zeneli. Remsi zë vendin e 12-të në Ligue 1 me 34 pikë. Gjasat janë të vogla që ta sigurojnë daljen në Evropë. Por, sipas Berishës, mundësitë janë.
“Filluam keq, por kemi pasur një periudhë me lojëra të mira. Tash kjo fitorja e fundit ishte e rëndësishme për t’i ikur fundit. Nga vendi ku jemi ne deri në vendin e pestë është garë e ngushtë. Por, për të shkuar atje, duhet seri e mirë. Ambiciet janë që të mbesim sa më mirë. Starti na ka prishur planet që i kishim, por besoj se do të bëhet mirë”.
Berisha ka shtuar se do ta veçojë duelin ndaj gjigantit francez, Paris Saint-Germain. Thekson se ndeshje të tilla i shërbejnë për karrierë.
“Nga ardhja ime, sigurisht që ndeshja ndaj PSG-së është e veçantë. Luajtëm mirë, por Parisi është Paris me gjithë ata yje. Ka qenë për mua ndeshje e mirë të luash ndaj yjeve, si Neymar, Mbappe, Di Maria e të tjerët. Ka qenë ndeshje që më ka bërë shumë mirë personalisht, sepse e sheh veten se ku je”, ka thënë Berisha që vlerësohet në tregun e transferimeve rreth 5 milionë euro.
Me Reimsin ka kontratë deri në qershor të vitit 2024. Ai thotë se ka gjetur stabilitet te skuadra franceze ku synon të mbetet gjatë.
“Nuk kam asnjë plan, po eci mirë, kam nënshkruar kontratë të gjatë, nuk do të ngutem. Nëse janë sukseset mund të ndodhë në të ardhmen, por nuk e kam në synim afatshkurtër të bëj ndonjë lëvizje. Po e ndiej veten mirë, kam nënshkruar kontratë të gjatë dhe nuk e kam asgjë për ngut”, ka thënë Berisha.