New Orleans Pelicans e ka mposhtur Phoenix Sunsin 125:114 dhe e ka barazuar rezultatin e serisë së plejofit në ligën NBA, në 1:1.
Brandon Ingram regjistroi 37 pikë, 11 kërcime dhe nëntë asistime, ndërsa Pelicansi triumfoi ndaj nënkampionit të vitit të shkuar.
Phoenixi po ashtu e humbi edhe basketbollistin Devin Booker, i cili realizoi 31 pikë. Ai u largua nga loja për shkak të zgjatjes së muskulit në çerekun e tretë.
25-vjeçari Booker sivjet ka munguar në shtatë ndeshje për shkak të problemit me muskuj, ndërsa gjendja e tij do të përcillet në ditët në vazhdim.
Miami Heati dyfishoi avantazhin e serisë përballë Atlanta Hawksit, pasi triumfoi 115:105.
Jimmy Butler realizoi plot 45 pikë, më së shumti në karrierën e tij.
Memphis Grizzlies ishte dominues kundër Minnesota Timberwolvesit dhe barazoi rezultatin e serisë në 1:1, pasi fitoi 124:96.
Ja Morant shënoi 23 pikë e 10 kërcime, ndërsa Desmond Bane dhe Jaren Jackson Jr, shënuan nga 16 pikë secili për Grizzlies. Anthony Edwards udhëhoqi Timberwolvesin me 20 pikë.