Skuadra e Pejës synon ta regjistrojë edhe fitoren e katërt rresht në kuadër të Superligës së Kosovës në basketboll. Pejanët që kanë tri fitore në po aq ndeshje të zhvilluara, të mërkurën e presin skuadrën e Bashkimit në kuadër të xhiros së katërt, ka njoftuar Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) të martën.
Ndeshja që luhet në palestrën “Karagaçi”, nis në orën 19:30. Peja është skuadra e vetme që këtë edicion nuk di për humbje derisa Bashkimi vjen pas një serie prej dy disfatave rresht. Të mërkurën zhvillohet edhe një ndeshje tjetër, ku Vëllaznimi e pret në Gjakovë skuadrën e Trepçës. Të dyja këto ekipe shënuan fitoret e para këtë edicion në xhiron e shkuar. Vëllaznimi triumfoi në udhëtim ndaj Bashkimit derisa Trepça në shtëpi e mposhti Golden Eagle Yllin.
Xhiroja e katërt do të mbyllet me dy ndeshjet tjera që do të luhen të enjten. Sigal Prishtina, që i ka humbur dy ndeshjet e fundit, e pret Yllin derisa Rahoveci do të luajë në palestrën “Mizahir Isma” kundër Ponte Prizrenit. Të dyja takimet do të nisin prej orës 19:00.