Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Peja sakrifikon të rinjtë për të marrë fitoren e shumëdëshiruar

Ka kohë që Kosova përballet me mungesë të basketbollistëve të rinj cilësorë. E vetëdijshme se numri i lojtarëve të rinj cilësorë nuk është i mjaftueshëm, Federata e Basketbollit e Kosovës ka marrë vendime për të garantuar hapësirë për të rinjtë në ndeshje të Superligës, me synim për t’i përgatitur ata.

Në propozicione të garave shkruan që këtë edicion secili ekip duhet të ketë në përbërje së paku dy lojtarë të lindur në vitin 2000, ose më të rinj. Klubet, po ashtu, obligohen që për lojtarin apo lojtarët më të rinj se 20 vjet të garantojnë 20 minuta lojë në ndeshjet kampionale. Për klubet që nuk respektojnë këtë kusht, pasojnë dënime.

Peja me vetëdije ka bërë shkelje të dielën, duke u pajtuar të paguajë gjobë prej 500 eurosh, sa edhe parashikohet në propozicione. Te Peja indirekt kanë pranuar se aktivizimi i obligueshëm i lojtarëve të rinj penalizon skuadrën, apo të paktën ka mundur ta penalizojë në derbin e së dielës me Sigal Prishtinën. Edhe në klube të tjera ka vlerësim të tillë, por klubet hezitojnë të bëjnë shkeljen që kushton 500 euro. Te Peja kanë sakrifikuar të rinjtë e po ashtu 500 euro. Fitorja ndaj Prishtinës është vlerësuar më e rëndësishme se ofrimi i hapësirës për të rinjtë.

Vendimin për të mos respektuar rregulloren, Peja e ka marrë në çerekun e tretë të ndeshjes. Në palestrën “Karagaçi”, të stërmbushur me shikues, Peja e mposhti Sigal Prishtinën me shifrat 82:76. Ndeshja i takoi xhiros së 21-të të Superligës.

“Peja dënohet me 500 euro për mosrespektim të 20 minutave të garantuara për lojtarët deri në moshën 20-vjeçare”, thuhet në vendimin e Komisarit të Garave, të martën... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)