Sport

Peja është e vendosur ta barazojë serinë, Trepça kërkon finalen

Te skuadra e Pejës janë të vendosur ta dërgojnë serinë gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll në ndeshjen e pestë, në të cilën edhe do të përcaktohet finalisti. Për ta bërë këtë, Peja patjetër duhet ta fitojë ndeshjen e katërt të kësaj serie ndaj Trepçës, që po avancon me rezultatin e përgjithshëm 2:1 pas tri dueleve të luajtura. Ndeshja e katërt mes këtyre skuadrave luhet të enjten prej orës 20:30 në palestrën “Karagaçi” në Pejë.

Trajneri i Pejës, Marin Dokuzovski ka thënë se ekipi i tij do ta bëjë të pamundurën për ta fituar edhe ndeshjen e dytë rresht përballë Trepçës, ndonëse ka pranuar se nuk do të jetë aspak lehtë. E kur e thotë këtë, Dokuzovski e ka mendjen të atmosfera që do të jetë e zjarrtë në palestër sikurse në duelin e shkuar.

Edhe pse pritej që ndeshja të luhet pa praninë e publikut, Komisioni Arbitrar i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) të mërkurën mbrëma ka marrë vendim që të lejohet 25 për qind e palestrës të jetë e mbushur pas ankesës së klubit pejan.

Po ashtu, gjoba e Pejës është ulur në tre mijë euro. Peja ishte dënuar me 7000 euro dhe me zhvillimin e dy ndeshjeve pa praninë e shikuesve për shkak të incidenteve të shumta që ndodhën në ndeshjen e së dielës të shkuar. Ndeshjen e fitoi Peja, por fitorja mbeti në hije të incidenteve të shumta. Organizimi i ndeshjes nga KB Peja është cilësuar në tërësi jo i mirë. Trepça është gjobitur me 1500 euro. Ka pasur ndërprerje tjetër për shkak të hedhjes së gjësendeve në fushën e lojës. Disa sekonda para fundit, një tifoz vendas hyri në parket dhe e preku në kokë lojtarin e Trepçës, Rodney Purvis. Trepça më pas u tërhoq në zhveshtore. Nisën hedhje të mjeteve ndezëse nga ana e tifozëve. Ato hidheshin te grupi kundërshtar i tifozëve, por edhe në parket. Ndërkohë policia largoi nga palestra tifozët mysafirë e më pas u vendos që të zbrazet tërësisht salla. Pas gati një orë ndërprerje u luajtën 30 sekondat e mbetur.

“Pres një luftë të fortë, por ne jemi në pozitë më të keqe sepse luajmë pa tifozët tanë. Ndërsa, deri më tani është dëshmuar se terreni vendas është përparësi e madhe. Po ashtu, kemi edhe fond më të vogël të lojtarëve dhe këto ndeshje i shkojnë më shumë për shtati Trepçës sepse ka më shumë lojtar në përbërje. Përfundimisht, nuk do të jetë lehtë por nuk do të dorëzohemi dhe do të luftojmë ta fitojmë edhe këtë ndeshje”, është shprehur Dokuzovski. Fitore në duelin e katërt po kërkon edhe skuadra e Trepçës. Në të vërtetë, ekipi mitrovicas me triumf eventual në këtë përballje, do të kualifikohet në finale. E në serinë finale, Trepça do të përballet me Golden Eagle Yllin. Ylli është kampion në fuqi kurse në gjysmëfinale e eliminoi Sigal Prishtinën me rezultatin e përgjithshëm 3:0. Edhe seria finale do të luhet me tri ndeshje të fituara kurse Ylli ka përparësinë e terrenit për shkak se stinorin e rregullt e mbylli në pozitën e parë kurse Trepça përfundoi e dyta. Megjithatë, edhe te Trepça pranojnë se do ta kenë të vështirë ta mposhtin Pejën. “Çdo ndeshje kundër Pejës është e vështirë për shkak të përvojës që e ka brenda ekipit. Por, edhe ne i kemi përparësitë tona dhe besoj se do të mundohemi t’i shfrytëzojmë dhe të marrim rezultat pozitiv për të kaluar në finale”, ka thënë Drilon Hajrizi.

Organizatori i Trepçës, Amin Hot është i bindur se ekipi i tij mund të konfirmohet si finalist pas ndeshjes së katërt gjysmëfinale.

“Presim një ndeshje të vështirë, pasi të gjitha ndeshjet ishin të tilla për shkak se Peja është skuadër fantastike me lojtarë me përvojë dhe një trajner shumë të mirë. Dy ekipet e njohim mirë njëra tjetrën dhe nëse qëndrojmë të koncentruar dhe kryejmë detyrat tona, atëherë mund t’ia dalim. Do të përpiqemi ta përfundojmë këtë seri dhe të plasohemi në finale. Besoj se mund ta bëjmë këtë”, është shprehur Hot.