Sport

Peja e pret Yllin në palestrën “Karagaçi”

Peja – Golden Eagle Ylli vlerësohet ndeshja derbi e xhiros së 25-të të Superligës së Kosovës në basketboll. Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën nga ora 19:00 në palestrën “Karagaçi” në Pejë.

Skuadra pejane kthehet në palestrën e saj pas disa javësh. Për shkak të telasheve teknike në palestër, Peja ishte detyruar të luante si vendase në qytete të tjera.

Katër xhiro para fundit, Peja është e dyta me 41 pikë. Golden Eagle Ylli është i treti me 39 pikë. Të dy skuadrat synojnë titullin e kampionit. Por fillimisht synojnë pozitë më të mirë për plejof dhe që ta gjejnë ritmin e duhur.

Të shtunën prej orës 17:00 është ndeshja Vëllaznimi – Trepça. Skuadra mitrovicase është në seri të gjatë fitoresh dhe tashmë ka siguruar pozitën e parë për plejof. Udhëheq me 46 pikë. Vëllaznimi është i pesti me 35 pikë dhe do të paraqitet në çerekfinale të plejofit.

Të dielën prej orës 19:00 takohen Sigal Prishtina e Istogu, ndërsa prej orës 20:00 është derbi lokal mes Proton Cable Prizrenit e Bashkimit. Prizreni synon fitore për t’iu afruar Bashkimit. Ndërkohë Bashkimi synon fitoren për t’u stabilizuar në pozitën e gjashtë dhe potencialisht të pretendojë pozitën e pestë. Bashkimi i ka 33 pikë në vendin e gjashtë, ndërsa Prizreni është i shtati me 31 pikë.