Pasi ka shmangur përballjet me Kroacinë, Kosova do ta synojë vendin e parë në grup në fazën e tretë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”.
Shorti i fazës së tretë të parakualifikimeve për Evropianin e basketbollit është tërhequr të martën. Kosova është në grup me Zvicrën dhe Danimarkën. Fituesja e grupit kalon në fazën kryesore të kualifikimeve.
Në short, Zvicra ishte e fundit në vazon e parë, ndërsa Danimarka e para në vazon e dytë. Kosova ishte e para në vazon e tretë, ku ishte edhe Shqipëria.
Nga vazoja e parë në short u përfshinë Kroacia, Bullgaria e Rumania. Të tri këto përfaqësuese, Kosova i ka shmangur.
“Shorti ishte relativisht i favorshëm, duke pasur parasysh që ka pasur përfaqësuese shumë më të forta, para së gjithash Kroacia. Danimarka e Zvicra janë shumë të forta, të organizuara dhe me kualitet të lartë. Ka një kohë të gjatë që kemi filluar përgatitjet dhe pas shortit do t’i përvishemi punës në mënyrë që në këto parakualifikime të hyjmë me synime të qarta”, ka thënë Adriatik Rraci, menaxher i përfaqësueses së Kosovës në basketboll.
Kosova ndeshjen e parë e luan më 19 korrik në shtëpi ndaj Zvicrës. Ndeshjen e fundit e ka më 5 gusht. Dy ndeshje i luan në shtëpi e dy në udhëtim.
Me Zvicrën, Kosova takohet për herë të parë. Ndërkohë me Danimarkën është përballur në fazën e parë të parakualifikimeve. Më 28 nëntor të vitit 2021, Kosova kishte fituar 78:73 ndaj Danimarkës në Prishtinë. Ndërsa më 30 qershor të vitit 2022, “Dardanët” kishin pësuar 105:71 nga Danimarka në Naestved. Danimarka kishte fituar grupin, para Norvegjisë dhe Kosovës. Danimarka e Norvegjia kishin kaluar në fazën e dytë të parakualifikimeve, ndërsa Kosova kishte mbetur e fundit, por është bartur në raundin e tretë të parakualifikimeve.
Edhe Zvicra kishte fituar në grup në raundin e parë të parakualifikimeve. Të dy përfaqësueset kanë dështuar në raundin e dytë të parakualifikimeve dhe tani do të synojnë të dalin në kualifikimet e rregullta. Por këtë synim e ka edhe Kosova, ndonëse në letër është autsajdere.
“Në vitet e kaluara kemi qenë të hendikepuar dhe thuajse asnjëherë nuk ishim komplet. Tani mendoj se do t’i kemi shanset tona, sidomos në ndeshjet si vendas dhe me përkrahjen e madhe të ‘Dardanëve’. Danimarkën kemi dëshmuar se mund ta mposhtim, ndërsa me Zvicrën luajmë për herë të parë dhe shpresoj se edhe ndaj saj mund t’ia dalim”, ka shtuar Rraci.
Përgjegjësi për përfaqësuesen e Kosovës ka pranuar se synimi është dalja në kualifikime. Për këtë i duhet ta fitojë grupin.
“Synimet tona janë të qarta – do të tentojmë ta fitojmë grupin dhe të kalojmë në fazën kualifikuese të ‘Eurobasket 2025’. Ky rrugëtim nuk do të jetë i lehtë, por as i pamundur”, ka shtuar Rraci.
Ka kohë që përfaqësuesja e Kosovës nuk ka regjistruar asnjë sukses. Suksesin e vetëm e kishte në vitin 2017, kur kaloi me sukses parakualifikimet evropiane për Botërorin 2019. Doli para Maqedonisë së Veriut. Selektor atëbotë ishte amerikani Brad Greenberg. Prej atëherë Kosova nuk ka kaluar asnjë fazë kualifikuese dhe momentalisht është në nivel goxha të ulët.