Islam Selmani bëri një hap të vogël për t’u ngjitur në podium. Por për Selmanin ngjitja në podium të dielën vlerësohet si hap i madh në karrierë. Selmani i kategorisë deri 55 kilogramë e fitoi medaljen e artë në Evropianin për kadetë, juniorë dhe U21. Kosova u përfaqësua me 28 karateistë në këtë ngjarje që u mbajt në Pragë të Çekisë, ndërsa Selmani synon medalje të artë edhe në Kampionatin Botërorin që do të mbahet në fund të muajit tetor në Konyaspor të Turqisë.
Karateisti i klubit Obiliqi thotë se e arritura në Evropian do t’i shërbejë atij si motivim i madh për sukseset e radhës. E synimin e madh, Selmani thotë se e ka në Botëror.
“Jam shumë i lumtur dhe i emocionuar për medaljen e fituar. Është suksesi më i madh në karrierën time. Sipas punës që kam bërë me trajnerin tim, kam besuar se do ta fitoj medaljen e artë. Kam pasur një rrugë të vështirë deri te ky sukses. Kam qenë i dëshpëruar, por jo i dorëzuar. Kam punuar shumë deri te ky sukses dhe më është realizuar një ëndërr”, ka thënë Selmani të dielën për KOHËN.
Luftën e parë Selmani e fitoi ndaj sllovakut Adam Dolincky, pastaj mposhti edhe kroatin Nikola Topliçaneq, skocezin Adam Hamill, italianin Andrea Bisaccia, përpara se të triumfonte në finale përballë karateistit nga Mali i Zi, Blasa Vojinoviq. Ai i insiston se nuk e ka ndërmend të ndalet me kaq.
“Nuk dua të ndalem me kaq, mendoj të arrij medalje edhe në Botëror. Ëndrra ime është që ta fitoj si senior medaljen e artë në Kampionatin Botëror”, ka këmbëngulur karateisti premtues i Kosovës.
I kënaqur me suksesin e Selmanit 17-vjeçar është shprehur edhe trajneri Isak Curri.
“Bëhet fjalë për një karateist të talentuar. Vitin e kaluar në Evropianin që u mbajt në Finlandë ia mohuan pjesëmarrjen. Pra, nuk e morën, ndonëse edhe me para të veta mendonte të merrte pjesë. Ai ka qenë i dëshpëruar dhe më është dashur të punoj shumë dhe ta bindi që të kthehet në këto gjashtë muajt e fundit. U kthye, punoi dhe ia doli me plot sukses. Është karateist me të ardhme të ndritur. Ka potencial për t’i siguruar Kosovës medalje të mëdha”, ka thënë Curri.
Selmani me karate merret qe dhjetë vjet, ndërsa suksesin e arritur të dielën thotë se nuk do ta harrojë kurrë. Suksesin e Selmanit e vlerësuan historik edhe nga Federata e Karatesë së Kosovës. Kosova në nivel senior ka dy medalje të bronzta në Evropian. Së fundi, e fitoi Elhami Shabani, ndërsa para tij Herolind Nishevci. Nishevci ka edhe të bronztë në Botëror. Por, në Federatë presin shumë nga gjenerata në ardhje.
“Kemi pasur një paraqitje të shkëlqyer sidomos nga Islami, që tashmë është kampion i Evropës në kategorinë e tij. Në të gjitha luftërat ka qenë dominues dhe nuk ka qenë në dyshim asnjë luftë e tij. Ka pasur një paraqitje fantastike. Prej Islamit presim që edhe në Botëror të jetë numër një, pra ta fitoj medaljen e artë. Suksesi i tij në Evropian na jep shpresë që edhe në Konyasor ai të dalë i pari”, ka thënë sekretari i Federatës së Karatesë të Kosovës, Nazmi Gashi.
Gashi ka thënë se edhe garuesit e tjerë kanë pasur paraqitje të dinjitetshme në Çeki.
“Vlera Qerimi përfundoi e pesta dhe nuk arriti ta fitojë medaljen e bronztë, vendin e shtatë e zuri Elbrina Sopjani. Edhe garuesit e tjerë patën paraqitje të mira dhe është një gjeneratë e mirë në ardhje”, ka thënë Gashi.