Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pas Real Madridit, Kosovare Asllani pritet t’i bashkohet një tjetër ekipi me emër

Kosovare Asllani ka gjasa të mëdha që karrierën ta vazhdojë te një tjetër ekip me emër në Evropë pas Real Madridit. Bëhet e ditur se Asllani mund t’i bashkohet Juventusit, ekip që po e kërkon suksesin në Ligën e Kampionëve. Kështu, ka raportuar “Tuttomercatoëeb” të enjten.

Asllani në tri sezonet e fundit, ka qenë pjesë e Real Madridit dhe muaj më parë e ka bërë të ditur largimin nga ekipi spanjoll. 32-vjeçarja te Juventusi po shihet si përforcim i duhur për Champios, pasi sezonin e fundit u eliminua në çerekfinale të kësaj gare. Juventusi është një prej skuadrave më të suksesshme të femrave në Itali.

Është formuar para pesë vjetësh, por ka fituar pesë tituj kampioni gjatë kësaj periudhe, si dhe dy Kupa e tri Superkupa të Italisë. Asllani ka një karrierë të pasur si futbolliste si në nivel klubesh ashtu edhe përfaqësuesesh. Karrierën e ka nisur në Linkopingu për të vazhduar te Chicago Red Stars, Kristianstadsi, Paris Saint-Germaini e Manchester City.

Ka edhe 160 paraqitje me Përfaqësuesen e Suedisë dhe 43 gola të shënuara. Së fundmi, Asllani është ftuar te Suedia për Kampionatin Evropian që do të mbahet muajin tjetër.