Në Kampionatet Evropiane të karatesë, të mbajtur në vitin 2019 e 2021, Elhami Shabani nuk kishte zënë vend në podium. Ai megjithatë nuk ishte ndalur deri në realizimin e synimit – të fitojë medalje. Puna e madhe iu shpërblye.
Karateisti kosovar fitoi medaljen e bronztë evropiane, javën e kaluar në Gaziantep të Turqisë.
Shabani, të martën në konferencë për shtyp, tha se nuk do të ndalet me kaq. Ai synon të tjera suksese në arenën ndërkombëtare.
“Synimi i vetëm ka qenë medalja dhe e arritëm atë qëllim që e kemi pasur moti. Shumë kemi punuar, shumë e kemi bërë punën për të arritur deri aty. Është një arritje shumë e madhe, vetëm ata që merren me sport dhe që kanë qenë sportistë e dinë vlerën e kësaj, që me të vërtetë kërkon shumë punë dhe shumë angazhim. Por kur e arrin medaljen, e sheh që ia ka vlejtur”, tha Shabani.
Përkushtimin e madh të Shabanit e vlerësoi edhe përzgjedhësi Ylber Syla.
“Qëllimi ynë kryesor ka qenë që përfundimi të jetë për çdo lakmi. Në fund e arritëm qëllimin, e arritëm medaljen. Që në fillim, nga nisja, pas përgatitjeve, qëllimi kryesor ka qenë medalja. Këtë e arritëm falë punës të përbashkët, një angazhimi shumë të madh të kampionit tonë”, ka thënë Syla, ndër të tjera.
Edhe
Shabani i emocionuar pasi fitoi medalje në Evropian
Me suksesin në Evropian mburret edhe kryetari i Federatës, Avni Gashi.
“Në këtë garë, që është gara më prestigjioze evropiane duke pasur parasysh se këtu marrin pjesë vetëm seniorët, Kosova u përfaqësua me 16 garues në dy disiplinat, kata dhe kumite, individuale dhe ekipore. I kishim dy ekipe, femrat dhe meshkujt. Vlen të theksohet se kishim edhe një garues në parakarate, në disiplinën e të verbërve. Kosova prej këtij kampionati kthehet krenare dhe e përmbushur në aspektin e paraqitjes së dinjitetshme, prestigjioze, si dhe e barabartë me të gjitha federatat e tjera evropiane. Në mesin e 45 shteteve, plasmani i përgjithshëm i Federatës së Kosovës është vendi i shtatë në gara ekipore. Kemi edhe një kategori individuale, kemi vendin e shtatë, mirëpo, siç dihet, rangimi i garuesve shkon mbi bazën e medaljeve. Në këta rast, krenarinë na e solli garuesi Elhami Shabani”, ka thënë Gashi.
Më herët medalje nga ngjarjet e mëdha të karatesë ka fituar Herolind Nishevci.