Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pas kalimit në profesionalizëm, Goqi e Beqa mbesin pa mbështetje të shtetit

Jetmir Goqi dhe Gentiana Beqa nuk e kanë përfaqësuar në asnjë garë të këtij viti Federatën e Bodibildingut dhe Fitnesit të Kosovës, si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj, meqë kanë kaluar nga niveli amator në nivelin profesionist, shkruan sot Koha Ditore.

Por vetëm të martën, kur ka kaluar më shumë se gjysma e vitit, Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), me kërkesë të Federatës së Bodibildingut dhe Fitnesit të Kosovës, e ka rekomanduar Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), që Goqit, Beqës dhe dy trajnerëve të tyre, Burim Vraniqajt dhe Asdren Ahmetit, t'ia ndërpresin mbështetjen financiare.

Goqi, Beqa, Vraniqaj dhe Ahmeti pritet të mos e gëzojnë mbështetjen financiare për muajt e mbetur të këtij viti, që e kishin deri më tani nga MKRS-ja në bazë të sukseseve të arritura në skenën ndërkombëtare. Ata kanë përfituar financiarisht duke u bazuar në Rregulloren për Kategorizimin e Sporteve, Sportistëve dhe Trajnerëve.

Goqi ka pasur mbështetje prej 350 eurosh në muaj, Beqa prej 300 eurosh, Vraniqaj është mbështetur me 175 euro dhe Ahmeti me 150 euro. Vendimin për ndalesën e mbështetjes do ta marrë MKRS-ja.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).