Pas 37 vjetësh, Winterthuri është kthyer në elitën e Zvicrës në futboll. Drejt këtij suksesi në fushë e ka udhëhequr Granit Lekaj. Mbrojtësi kosovar është kapiten i skuadrës me traditë në futbollin zviceran. Winterthuri është i themeluar në vitin 1896, ka tre tituj të kampionit, por në dekadat e fundit kishte luajtur në kategorinë e dytë.
Winterthuri fitoi titullin në Challenge League të Zvicrës, falë një fitoreje 5:0 në xhiron e fundit. Një xhiro para fundit nuk ishte i pari, por shfrytëzoi dështimin e Aaraut në xhiron e fundit dhe doli kampion.
Pos për Winterthurin, kalimi në elitë është i veçantë edhe për Lekajn. 32-vjeçari për herë të parë do të luajë në elitën helvetike. Ai plot 12 edicione i ka kaluar në Challenge League, kategoria e dytë. Dhe më në fund do të luajë në elitë, synim që e ka pasur gjatë gjithë karrierës. Lekaj ka luajtur në 34 prej 36 ndeshjeve të edicionit të fundit. Në një ndeshje mungoi për shkak të një lëndimi e në një tjetër për shkak të kartonëve. Ka shënuar tri gola dhe kishte një asistim. Ka kompletuar të gjitha 34 ndeshjet, duke shfaqur stabilitet në qendër të mbrojtjes.
Stabil është shfaqur edhe në edicionet e kaluara, por skuadra nuk e kishte cilësinë e duhur për kalim në elitë. Dhe kështu Lekaj pas plot 337 ndeshjeve në kategorinë e dytë, do të testohet në Superligën e Zvicrës. Ai ka luajtur edhe në nivele më të ulëta të futbollit zviceran, në fillim të karrierës.
Pos për Winterthurin, Lekaj ka luajtur edhe për Wilin dhe për Schaffhausenin.
“Jam më shumë se i gatshëm për Superligë. E kam pritur këtë moment prej se kam nënshkruar kontratën e parë profesionale në Challenge League. Jam plot me energji dhe shumë i lumtur për këtë hap”, ka thënë Granit Lekaj për KOHËN.
Ai e udhëheq një “ushtri” shqiptarësh te Winterthuri. Samir Ramizi, Eris Abedini, Tician Tushi, Jozef Pukaj, Shkëlqim Demhasaj, Gëzim Pepsi, Arlind Dakaj ishin pjesë e skuadrës në edicionin tashmë të përfunduar. Shumica, nëse jo të gjithë, pritet të jenë edhe në Superligë.
Lekaj thotë se janë bërë gati edhe për ndeshje të barazhit, porse gjithnjë kanë besuar se do të kalojnë direkt në Superligë.
“Kthimi në elitë pas kaq shumë vjetësh ka qenë moment i veçantë. Jam krenar që jam kapiten i këtij ekipi. Për klubin dhe për qytetin është diçka e paharruar. Ne lojtarët do të jemi legjenda të klubit për tërë jetën”, ka shtuar Lekaj.
Ai beson se Winterthuri do të bëjë ekip të mirë për Superligë. E di që nuk do të jetë e lehtë, por është optimist për një edicion të suksesshëm.
“Me kontributin personal jam shumë i kënaqur. E kam dhënë maksimumin për suksesin e ekipit. Sa u takon lojtarëve shqiptarë, secili prej tyre është pjesë e suksesit. Mendoj se ne shqiptarët ishim përgjegjës për atmosferën në ekip”, ka theksuar Lekaj.
Lekaj është krenar për karrierën e deritashme në futbollin zviceran.
“Jam shumë i kënaqur dhe shumë krenar. Natyrisht, kam pasur dëshirë që më herët të realizoj këtë sukses. Por, asnjëherë nuk e kam humbur besimin dhe gjithnjë kam dhënë maksimumin për futbollin. Këtë natyrisht do ta bëj deri në fund të karrierës”, ka theksuar Granit Lekaj.