Paraqitjet mbresëlënëse të Lionel Messit në Kupën e Botës, kanë treguar “evolucionin e sportit modern”, ka thënë të shtunën ish-trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger.
“E kam udhëhequr Arsenalin në vitin 2006 kundër Barcelonës në finalen e Ligës së Kampionëve dhe Messi ishte i gatshëm për të luajtur”, tha Wenger në konferencën për shtyp të Grupit të Studimeve Teknike të FIFA-s.
“Ishte viti 2006, tani jemi në vitin 2022. 16-të vjet më vonë dhe ai ende është në garë për të qenë lojtari i turneut. Ky Botëror ka treguar evolucionin e sportit modern. Ky turne ka shfaqur lojtarë të rinj që janë gati dhe shumë herët në majë të futbollit, si dhe lojtarë të cilët kanë pasur karrierë shumë të gjatë. Nuk kemi pasur raste që një 35-vjeçar dominon në Botëror, por tani e kemi Giroudin, e kemi Messin, Modriqin 37-vjeçar, lojtarë dominues. Kjo tregon se karriera e lojtarëve elitarë zgjat më shumë. Janë gati shumë herët dhe e mbyllin karrierën shumë vonë”, ka thënë Wenger.