Sport

Paralimpisti më i gjatë ishte i detyruar të flejë në dysheme, tani ka shtratin që i përshtatet

Morteza Mehrzadselakjani

Morteza Mehrzadselakjani

Morteza Mehrzadselakjani, paralimpisti më i gjatë në histori, ishte detyruar të flejë në dysheme gjatë Lojërave Paralimpike “Parisi 2024”, pasi nuk kishte shtrat që i përshtatej. Por situata tani ka ndryshuar, ka thënë Komiteti Paralimpik Ndërkombëtar për CNN.

Sportisti i njohur më shumë me mbiemrin Mehrzad, është 2,46 metra i gjatë. Është njeriu i dytë më i gjatë në botë. Ai është vendimtar në dominimin e Iranit në volejbollin ulur. Irani ka fituar të artën në dy edicionet e kaluara të Lojërave Paralimpike.

Gjatësia e tij kërkon kujdes të veçantë. Trajneri Hadi Rezaeigarkani ka thënë se Mehrzad kishte shtrat të veçantë në Tokio tri vjet më parë, por jo edhe në Paris. Për këtë arsye, sportisti ishte i detyruar të bëj gjumin në dysheme.

Por pasi kjo u bë e ditur, ka ndërhyrë Komiteti Paralimpik Ndërkombëtar, që ka ofruar shtrat të veçantë për iranianin në fshatin olimpik. Në fakt atij i është zgjatur shtrati standard, në mënyrë që të jetë i përshtatshëm për të fjetur.

Për shkak të një incidenti me biçikletë në moshë të re, njëra këmbë e sportistit iranian ka mbetur më e shkurtër. Ai ka telashe për të ecur, por është shumë i suksesshëm në volejbollin ulur.