Sport

Pandemia vë në pah mbrojtjen e zbehtë që kanë futbollistët

Viktor Kuka ishte futbollisti i parë që reagoi ashpër pas publikimit të një komunikate të postuar të hënën mbrëma në “Facebook” nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve të Kosovës (SHMDFK). Futbollistëve kosovarë u është bërë thirrje që të arrijnë marrëveshje për t’i ulur pagat e tyre gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit. 

Thirrja e tillë për futbollistët dhe futbollistet, e bërë nga shoqata që është e obliguar për të mbrojtur interesat e tyre, ka qenë e papranueshme për Kukën dhe shumë futbollistë të klubeve të vendit, raporton KOHA.

Kuka ka thënë se te Ferizaj, klub ku luan, nuk janë paguar tashmë tre muaj. 

“Edhe ne do të pranonim ulje të rrogave nëse do të kishim qenë në rregull me pagesa, përndryshe nuk kanë as ata si të na  i ulin pagat kur nuk na kanë dhënë. Plot ekipe janë në rregull me paga dhe kanë pranuar shumica t’i ulin 50 për qind, njëjtë edhe ne do të kishim vepruar sikur të ishim të paguar me rregull. Kam biseduar me Kryesinë e Shoqatës dhe na kanë thënë që do të bëjnë presion që të na shlyhen borxhet, por tash është në dorën e kryesive t’i kryejnë obligimet. Deri tash nuk ka asnjë hap nga klubi, sepse janë të bllokuar, por shpresojmë që kur të kthehemi në normalitet të ketë diçka konkrete”, ka thënë Kuka për gazetën. 

Por në Shoqatë nuk mund të japin garanci nëse marrëveshja do të respektohet. 

“Besoj se shumica e lojtarëve kanë kontrata të protokolluara në Federatë dhe ata duhet t’i marrin pagat. Ne nuk mund të hyjmë garant, por kemi sugjeruar që të bëjnë marrëveshje dhe me normalizimin e situatës t’i shlyejnë borxhet ndaj tyre në rrogat e ardhshme”, ka thënë kryetari i SHMDFK-së, Visar Zogiani për gazetën. 

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.