Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pandemia nuk ndali kërcimet nga Ura e Vjetër e Mostarit

Në qytetin e Mostarit në Bosnje dhe Hercegovinë të dielën u mbajtën kërcimet tradicionale nga Ura e Vjetër, për 454 herë me radhë. Këtë vit, u mbajtën nën kushte më të kufizuara dhe në pjesëmarrjen më të vogël të garuesve dhe shikuesve se sa viteve të kaluara, shkaku i pandemisë.

Garuesit kërcyen në dy kategori. Titullin e parë, që quhet “Dallëndyshja e Mostarit” dhe është kategori e kërcimit me kokë, e fitoi Vedad Bashiq, ndërsa në kategorinë e kërcimit me këmbë fitoi Igor Kaziq, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Ashtu si kanë thënë organizuesit, kërcimet edhe këtë vit kanë pasur karakter ndërkombëtar, pavarësisht kufizimeve për shkak pandemisë, ngase në gara murrën pjesë edhe garues nga Mali i Zi dhe Serbija, transmeton KOHA.

Gjithashtu, organizuesit thanë se nuk është ditur deri në fund se kush do të fitojë garën në kategorinë e kërcimit me kokë pasi që Lorenso Lista, i njohur si dallëndyshja e Mostarit, u tërhoq nga gara. Ai ka fituar 13 herë në këtë kategori.