Ezatullah Kakar do të përvidhej natën nga qendra e mbajtjes së refugjatëve në Ishullin Manus, pjesë e Papua Guinesë së Re, do të hipte në një varkë për udhëtim njëorësh në qytetin kryesor Lorengau, do të blinte pajisje për të arrestuarit e tjerë dhe do të kthehej në kamp.
Kampioni trefishtë i kikboksit në Pakistan, nga provinca e trazuar e Balochistan, e bënte këtë çdo natë, duke rrezikuar arrestimin nga marina e Papua Guinesë së Re, e cila po përpiqej të ndërpriste furnizimet thelbësore për të detyruar 400 burrat e mbetur në qendër të lëviznin në objektet e reja.
Për Kakarin dhe të arrestuarit e tjerë, një kamp– me gjithë kushtet jo shumë të këqija - ishte thjesht një burg. Ata donin që një vend i ri t'i adoptonte. Shumë nga miqtë e tyre ishin pranuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si refugjatë, shkruan Al Jazeera, transmeton Koha Ditore. Tetë prej tyre kurrë nuk e nxorën jashtë, pasi u vranë në kampin e refugjatëve në Ishullin Manus.
Kakar - një fitues i medaljes së argjendtë në kikboks - thjesht donte të luftonte. Ai këtë nuk e bënte për vete, por për shokët e tij të burgosur, shumë prej të cilëve vuanin nga probleme të rënda të shëndetit mendor. Ai dëshironte t’u tregonte atyre se gjithçka mund të arrihet nëse mbeten të fortë dhe nuk dorëzohen.
“Unë jam një luftëtar dhe dua të luftoj për miqtë e mi në ishujt Manus dhe Nauru. Unë duhet të qëndroj i fortë dhe të mendoj pozitivisht. Unë kam qenë në kamp për shumë vjet, por tani dua që një vend të më adoptojë, çdo vend, që të mund të luftoj për shokët e kampit dhe t'u tregoj ato që mund t’i bëj”, tha Kakar nga Manila e Filipineve, ku ai aktualisht po stërvitet dhe po merr pjesë në garat e MMA-së përpara se t’i skadojë viza në mesin e muajit të ardhshëm. “Kam parë shumë gjëra gjatë viteve që i kam kaluar në qendrën e paraburgimit. Ka qenë e vështirë për të gjithë. Shumë burra vuajnë nga problemet e shëndetit mendor. Unë dua t’u japë atyre shpresë, t'u tregoj atyre se çfarë mund të arrihet”.
Edhe
Pse India e kryeson listën e detarëve të braktisur?
Largimi me dhunë nga vendlindja
Kakar tha se ai u detyrua të largohej nga Pakistani, pasi u rrëmbye nga militantët pas triumfit të tij në Festivalin Botëror të Arteve Marciale në vitin 2012 në Iran, ku fitoi medaljen e argjendtë. Ata nuk e pranuan karrierën e tij luftarake. Udhëtimi i tij e çoi atë në Malajzi, Indonezi dhe më në fund në Ishullin Christmas të Australisë para se të dërgohej, në fund të vitit 2013, në Manus, ku ishte kampi i mbajtjes në det të hapur për refugjatët dhe azilkërkuesit.
Pasi kampi u mbyll zyrtarisht në tetor 2017, shumë prej të arrestuarve u larguan me forcë në vendet e tjera, si në Lorengau, por Kakar ishte mes rreth 400 burrave që nuk pranuan të largoheshin, duke përmendur frikën e sigurisë nga armiqtë vendas që kishin një histori dhune ndaj refugjatëve.
Deri në dhjetor, në qendër nuk mbeti askush. Kakar megjithatë arriti të shpëtonte dhe përfundoi në Portin Moresby, ku ai luftoi në disa meçe, duke përfshirë fitoren ndaj Solomon Tiamanit të Papua Guinesë së Re, për të fituar titullin e peshave të mesme të vendit.
Zyrtarët e Papua Guinesë së Re donin që ai të luftonte për ta, por Kakar nuk pranoi për shkak të trajtimit të këtij vendi ndaj refugjatëve në Ishullin Manus. Që nga mbërritja në Filipine, Kakar tha se ai ka qenë i pamposhtur - duke kapërcyer luftëtarët vendës me nokaut qysh në raundet e hershme.
Ai ka qenë duke punuar me promovuesit lokalë të MMA-së dhe ka pasur ndihmë nga një palestër në Manila, ku po stërvitet rregullisht. Kakar merr edhe nga pak para nga disa ish të arrestuar të tjerë të Pakistanit që kanë arritur të gjejnë një jetë të re në SHBA.
“Kam huazuar mijëra dollarë”, pranoi Kakar.
Por brenda një muaji viza e tij skadon dhe ai duhet të largohet, duke shpresuar se një organizatë e madhe siç është ONE Championship mund ta ndihmojë atë të ndjekë karrierën e tij dhe t’ia gjejë një vend për të luftuar. Pavarësisht mosmarrëveshjeve të mëdha që ka, Kakar, i cili është aktiv në mediat sociale, mbetet optimist për të ardhmen e tij. Gazetari i pavarur Michael Green, i cili shoqëroi Kakarin në njërin nga furnizimet e tij gjatë ditëve në Ishullin Manus, tha se optimizmi i 27-vjeçarit mund të ndriçonte një dhomë të errësuar.
Edhe
Pas ikjes nga talebanët, Khudadadi do të garojë për refugjatët në Paris
“Kur isha në barkë me Ezatin, të gjithë ishin shumë nervozë - përveç tij. Ai dukej i elektrizuar nga kjo, për faktin se ai po bënte diçka për të ndihmuar veten dhe të gjithë të tjerët. Këto udhëtime të furnizimit ishin tepër të rëndësishme për të gjithë të arrestuarit. Kishte qindra burra që nuk pranonin të linin qendrën e braktisur. Që ata të rrinin, ata kishin nevojë për ushqim dhe pajisje mjekësore dhe Kakar ishte ai që me ato udhëtime sekrete po siguronte mjetet e mbijetesës për të gjithë”, tha Green. “Kakar mbështeste të gjithë burrat që ishin në qendrën e refugjatëve. Ai në sytë e tyre ishte një kampion i vërtetë. Kakar edhe tash lufton për të drejtat e të gjithë refugjatëve me te cilët ishte në Ishullin Manus”.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)