Fisnik Asllani priste sinjalin nga gjyqtari i katërt për t’u futur në fushë. Gjatë qëndrimit afër vijës anësore, në fytyrën e Asllanit vërehej një buzëqeshje e lehtë. Buzëqeshje gëzimi.
“Ka qenë një ditë e madhe për mua”, tha të dielën Asllani për KOHËN, një ditë pasi bëri debutimin në Bundesligën e Gjermanisë. Të luash në njërën prej ligave më të forta në botë, qoftë për fare pak minuta, është ëndërr për secilin lojtar të ri.
“Shihet edhe në fytyrën time gëzimi. Futbollistët luajnë për momente të tilla. Leipzigu është skuadër e madhe që luan në Ligën e Kampionëve, ndërsa për mua ishte e madhe paraqitja e parë në Bundesligë”, ka vazhduar talenti kosovar.
Asllani u fut në fushë vetëm në minutën e 89-të në ndeshjen që skuadra e tij, Hoffenheimi, e fitoi ndaj Leipzigut me rezultatin 2:0.
“Ka qenë një moment i mirë. Kam qenë duke u ngrohur bashkë me lojtarët tjerë, ndërsa trajneri na ftoi të gjithëve. Po prisja me habi se çfarë po ndodhte, pasi kishim dy ndërrime për t’i bërë. Jemi ulur në stol, kurse trajneri ftoi vetëm një lojtar për ta inkuadruar. Por pas dhjetë sekondash më tha ‘Fis hajde edhe ti’. Ishte një ndjenjë e mirë”, tregon Fisnik Asllani.
Asllani veshi fanellën me numër 44 për ta shijuar momentin e tij, ashtu siç tregon se i kishte thënë ndihmëstrajneri.
Por Asllani nuk do të ndalet me kaq. Ëndrra për të debutuar në Bundesligë i është realizuar, ndërsa tani pret të luajë edhe më shumë në kampionatin gjerman.
“Me Hoffenheimin kam kontratë edhe dy vjet e gjysmë dhe plani është të qëndroj te kjo skuadër dhe të luaj sa më shumë në Bundesligë. Dua ta fus këmbën dhe të mbetem gjatë. Dua të bëhem lojtar i Bundesligës, jo vetëm të bëj një lojë dhe të pres. Por të bëj sa më shumë ndeshje dhe të fitojë përvojë”, ka thënë Asllani.
Sulmuesi vlerëson se paraqitja në Bundesligë është momenti më i mirë në karrierën e deritashme.
“Nuk do ta harroj kurrë”, ka deklaruar ai. “Informacioni se do të luaj të shtunën më ka ardhur shumë shpejt. Të enjten pasi përfundova stërvitjen, gjatë qëndrimit në shtëpi, më ka telefonuar trajneri i ekipit të dytë. Ai më tha që të premten duhet të grumbullohem me ekipin e parë në stërvitje dhe më tha se ndoshta edhe mund të luajë. Babai nuk e ka ditur e askush tjetër, sepse po ta dinte do të ishte në stadium, por mungoi në ndeshjen time debutuese”, ka thënë Fisi, ashtu si e njohin në skuadër.
Rastin për t’u paraqitur sërish te Hoffenheimi, Asllani mund ta ketë edhe fundjavën e ardhshme.
“Pas lojës më kanë thënë që sërish këtë javë që vjen do të stërvitem me ekipin e parë. Do ta shohim planin e ri. Krejt javën do të jem me ekipin e parë dhe do të mundohem ta jap maksimumin për të parë më pas se cili është plani për javën tjetër. Shpresoj të luaj. E rëndësishme është fillimisht të luaj dhe më pas të shohim për golat. Shpresoj të vijnë sa më shpejtë”, ka thënë Asllani.
Sulmuesi 19-vjeçar i lindur në Berlin, pjesë e Hoffenheimit u bë në qershor të vitit të kaluar. Ai për ekipin e dytë të klubit gjerman ka shënuar një gol dhe ka asistuar një tjetër në tri ndeshje këtë edicion.
Asllani insiston se ka pritur që shpejt do t’i jepet rasti të debutojë në Bundesligë.
“Vitet e kaluara s’kam pasur fat shkaku i lëndimeve. Lëndimet e viteve të kaluara më kanë ndalur për të bërë debutimin, sepse do të mund të kisha luajtur edhe më herët. Para tre muajve besoj se do ta kisha rastin të luaja, por u lëndova në gju dhe shërimi më zgjati tre muaj”.
Në fakt, Asllani edhe në vitin 2019 ishte ftuar nga ekipi i parë i Union Berlinit në përgatitjet dimërore.
“Periudha e lëndimeve ka qenë e vështirë për mua, por tashmë i kam tejkaluar edhe pse më kanë stagnuar, pasi po të mos ishin lëndimet ndoshta më herët do të isha në skenën e futbollit të Bundesligës. Më kanë qëndruar shumë pranë njerëzit e familjes për të kaluar situatën e vështirë. Por kam qenë edhe vetë i qetë dhe kam punuar shumë për t’u kthyer. Kohën më të vështirë e kam kaluar, ndërsa tani shikoj vetëm të ardhmen e që shpresoj të jetë e ndritur”, ka thënë Asllani.
Qendërsulmuesi shtatlartë ka luajtur për Kosovën dhe për Gjermaninë. Me grupmoshën U17 të Kosovës, ai ka debutuar më 9 shtator 2018 dhe ka shënuar një gol në pesë takime. Me Gjermaninë U18 ka debutuar më 10 dhjetor të vitit të kaluar dhe ka një gol në dy ndeshje.