Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pagesa e Federatave për shfrytëzimin e sallës së Pallatit, e papranueshme për KOK-un

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka kërkuar që sa më shpejt të hiqet pagesa e Federatave për shfrytëzimin e sallës së Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Kërkesën për heqjen e pagesës e ka bërë të hënën presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi në takim me drejtorin e Pallatit, Ilir Dugolli.

“Tema e takimit ishte vendimi që i obligon federatat sportive për të paguar shfrytëzimin e sallës së këtij Pallati, për të zhvilluar aktivitetet, gjë që është e papranueshme dhe e papërballueshme, si për KOK-un ashtu edhe për vetë federatat sportive. Me këtë rast, presidenti Krasniqi ka kërkuar nga drejtori Dugolli, të bëhet një zgjidhje sa më parë, në mënyrë që federatat sportive të lirohen nga pagesa dhe ato të mos hasin në probleme të tilla për të zhvilluar aktivitetet e tyre”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.

Siç shkruan në njoftimin e KOK-ut, të dyja palët janë dakorduar që në ditët në vijim, të zhvillojnë një takim të përbashkët edhe me ministrin për Kulturë, Rini e Sport, Hajrulla Çeku, e ku të pranishme do të ishin edhe federatat sportive.

Sipas KOK-ut, edhe drejtori Dugolli ka shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për të gjetur sa më parë një zgjidhje, në interes të të gjitha palëve.