Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pa fitues derbi madrilen

Futbollistët e Real Madridit kanë dështuar të shënojnë fitoren e radhës si vendës në derbin e qytetit kundër Atletico Madridit, pasi kanë luajtur baras 1:1, në ndeshjen e javës 31 të La Ligës së Spanjës.

Të përzgjedhurit e Zinedine Zidane i hyrën ndeshjes për të arritur tri pikë të reja, të cilët do të shtonin shpresat e skuadrës në garën për titullin e kampionit, ndonëse përball kishin skuadrën e papërshtatshme të Atleticos.

Kjo edhe u dëshmua në terren, pasi mysafirët treguan lojë të fortë duke mos lejuar futbollistët vendës që të krijonin shumë raste për të shënuar, transmeton KP.

Megjithatë, ishte Cristiano Ronaldo ai që solli vendësit në epërsi në minutën 53 të pjesës së dytë, por kjo nuk ndikoi shumë në lojën e të përzgjedhurve të Diego Simeones, të cilët pas vetëm katër minutash barazuan shifrat në 1:1, me golin e Griezmannit.

Njëherësh, futbollisti francez është lojtari i parë i Atletico Madridit që shënon gol në tri ndeshje të njëpasnjëshme në La Liga kundër Real Madridit në shekullin 21, transmeton BBC Sport.

Ndërsa, Ronaldo ka shënuar gol në dhjetë ndeshjet e fundit radhazi të Real Madridit.

Pas kësaj ndeshje, Atletico Madrid renditet e dyta me 68 pikë, ndërsa Real Madrid mbetet i treti me 64 pikë. Në krye të tabelës është Barcelona me 79 pikë, e cila dje shënoi fitore kundër Leganes me rezultat 3:1.

Artikuj të ngjashëm