Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Overmars largohet nga Ajaxi pas “mesazheve të papërshtatshme” për koleget

Marc Overmars e ka lënë rolin e tij si drejtor i çështjeve të futbollit te Ajaxi pasi klubi holandez tha se ai dërgoi një “seri mesazhesh të papërshtatshme për disa kolege”. Në një komunikatë të lëshuar nga Ajaxi, thuhet se ish-futbollisti i Arsenalit dhe Barcelonës, do të largohet nga klubi “me efekt të menjëhershëm”.

48-vjeçari ishte në rolin e drejtorit te Ajaxi që nga viti 2012 dhe së fundmi kishte rinovuar kontratën deri në qershor të vitit 2026. Overmars pranoi se ndjehet i turpëruar dhe se sjellja e tij ishte e papranueshme.

“Javën e kaluar u përballa me raporte në lidhje me sjelljen time. Fatkeqësisht nuk e kuptova që po e kaloja kufirin me këtë, por kjo mu bë e qartë ditët e fundit. Kërkoj falje”, tha Overmars për uebfaqen e Ajaxit. “Sigurisht që për dikë në pozicionin tim kjo sjellje është e papranueshme. Tani e shoh këtë, por është tepër vonë. Nuk shoh zgjidhje tjetër përveç largimit nga Ajaxi”.

Overmars bëri më shumë se 130 paraqitje për Ajaxin ndërmjet viteve 1992 dhe 1997 dhe fitoi tre tituj kampioni, kupën e Holandës dhe Ligën e Kampionëve përpara se të bashkohej me Arsenalin në vitin 1997, ku fitoi tre trofe, përfshirë edhe Premier Leaguen. Ai kaloi 10 vjet si drejtor i çështjeve të futbollit te Ajaxi me kryetarin e bordit mbikëqyrës Leen Meijaard duke e përshkruar Overmarsin si drejtorin më të mirë të futbollit që ka pasur Ajaxi.

“Kjo është një situatë dramatike për të gjithë të përfshirët”, shtoi Meijaard. “Është shkatërruese për femrat që u është dashur të përballen me këtë sjellje, kur e morëm vesh lajmin, menjëherë vepruam. Ai e ka kaluar me të vërtetë kufirin dhe nuk ishte në opsion për të vazhduar të jetë më drejtor i klubit. Është jashtëzakonisht e dhimbshme për të gjithë”.

Edhe Trazira të reja te Ajaxi, pezullohet shefi i ri ekzekutiv Futboll Trazira të reja te Ajaxi, pezullohet shefi i ri ekzekutiv

Ish-shoku i skuadrës dhe shefi ekzekutiv i Ajaxit, Edwin van der Sar shtoi se e konsideronte situatën të tmerrshme për të gjithë.

“Ndihem përgjegjës për të ndihmuar kolegët”, tha ai. “Klima e sigurt e sportit dhe e punës është shumë e rëndësishme. Ne do t'i kushtojmë më shumë vëmendje kësaj në të ardhmen. Marc dhe unë kemi luajtur së bashku që nga fillimi i viteve 1990 dhe ne kemi qenë kolegë për gati 10 vjet tani. Kjo tani ka marrë një fund shumë të papritur”.