Sport

Organizatorët e “Tokio 2020” po i rezistojnë koronavirusit

Organizatorët e lojërave olimpike “Tokio 2020” nuk kanë plane të anulojnë ngjarjen e madhe, me gjithë përhapjen e koronavirusit në Azi. 

Virusi deri më tash ka shkaktuar vdekjen e mbi 1.350 personave dhe ka infektuar mbi 60 mijë sish në mbarë botën, ku shumica e rasteve janë raportuar në Kinë. “Unë dua sërish ta them qartë se anulimi apo shtyrja e lojërave olimpike ‘Tokio 2020’ nuk është shqyrtuar”, ka thënë presidenti i “Tokio 2020”, Yoshiro Mori në konferencën për media të enjten, shkruan sot Koha Ditore.

Anëtari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), John Coates, ka shtuar se organizatorët po punojnë për sigurinë e gjithë sportistëve. “Organizatorët janë duke punuar për të siguruar që të gjithë sportistët dhe të gjithë njerëzit që vijnë në Japoni për lojëra të mos jenë të prekur dhe se të gjitha masat paraprake po merren”, ka thënë Coates. Lojërat Olimpike në Tokio janë paraparë të mbahen nga 24 korriku deri më 9 gusht këtë vit. 

Një numër i ngjarjeve sportive janë prekur tashmë nga koronavirusi. World Rugby ka konfirmuar të enjten se Hong Kong Sevens dhe Singapore Sevens janë shtyrë. Është dashur të mbahen në prill, por tash do të mbahen në tetor. 

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)