Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Orari i ngjeshur kthen Ligën e Kampionëve në sprint dhe maratonë

Në një sezon të pazakontë për futbollin evropian, Kupa e Botës në Katar e ka ndarë Ligën e Kampionëve në sprint dhe maratonë.

Faza e grupeve nis të martën dhe përthekon gjashtë raunde ndeshjesh në tetë javë të plota, me ndeshjen e fundit të grupeve që luhet më 2 nëntor.

Dyndja është shkaktuar nga pushimi i ligave evropiane të futbollit gjatë Kupës së Botës që luhet nga 20 nëntori deri më 18 dhjetor, në muajt më të freskët në Katar.

Në sezone të zakonshme ekipet asnjëherë nuk kanë luajtur ndeshje të Ligës së Kampionëve në javë rresht dhe faza e grupeve do të zgjaste deri në mesin e dhjetorit.

Kësaj radhe ndeshjet e Ligës së Kampionëve do të luhen në periudhë të ngjeshur e të shpejtë në tri grupe të mesjavëve të njëpasnjëshme, për ta përmbyllur fazën e grupeve para se shumë lojtarë të thirren për detyra me përfaqësuese.

Edhe Evropa nis sezonin unik të futbollit të ndarë nga Kupa e Botës në Katar Sport Evropa nis sezonin unik të futbollit të ndarë nga Kupa e Botës në Katar

Për ekipet që kanë formë të dobët në start të sezonit në kampionatet e tyre, ky format është më sfidues. Liga e Kampionëve nuk ofron pushim dhe skuadrat do t’i luajnë dy ndeshje deri më 14 shtator. Secila do të mundohet ta bëjë më të mirën në tetë grupe.

“Mund ta shijosh Ligën e Kampionëve kur gjërat shkojnë mirë në ligën vendore”, ka thënë trajneri i Leipzigut, Domenico Tedesco, të shtunën, pasi skuadra e tij humbi 4:0 nga Eintracht Frankfurti në Bundesligë.

Leipzigu e pret Shakhtar Donetskun të martën në Grupin F dhe i shkon më pas fituesit në fuqi të garës, Real Madridit, javën tjetër.

Leipzigu, Bayer Leverkuseni – që kanë humbur katër nga pesë ndeshjet e Bundesligës – dhe Sevilla, pa fitore dhe e 16-ta në ligën spanjolle, e nisin Ligën e Kampionëve nga pjesa e poshtme e renditjes tabelore në kampionatet përkatëse.

Sevilla e ka punën më të vështirë pasi e pret Manchester Cityn në Grupin G, të martën. Leverkuseni i shkon Club Brugget në Grupin B, të mërkurën.

Orari ofron pak kohë për t’i rregulluar gjërat, por shumë kohë për të reflektuar më vonë gjatë pauzës në mes të sezonit.

Më 14 shkurt Liga e Kampionëve rikthehet me fazën e nokautit dhe do të zgjasë afër katër muaj. Finalja do të luhet më 10 qershor. Në qershor ishte luajtur edhe për titullin inaugurues të Kupës Evropiane, saktësisht më 13 qershor të vitit 1956. Për atë muaj u shty vetëm në sezonin 2020 për shkak të pandemisë Covid-19.

Faza grupore do të zgjasë 59 ditë dhe më pas do të ketë pritje prej 220 ditëve për trofeun që do të jepet në Stamboll.

Edhe Një e teta e finales në Champions: top-ndeshje dhe një “befasi” Futboll Një e teta e finales në Champions: top-ndeshje dhe një “befasi”

Se si skuadrat mund ta mbajnë formën në mes të këtyre dy fazave është në mesin e sfidave të veçanta të këtij orari të paparë.

Manchester City aktualisht duket shumë i fortë, i udhëhequr nga transferimi i ri, Erling Haaland. Ai ka arritur shifrën e dhjetë golave në gjashtë ndeshjet e para të Premier Leagues. City nga shumë njohës të futbollit favorizohet për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve për herën e parë.

Megjithatë, ende është i paqartë ndikimi që do të ketë në sulmuesin norvegjez pushimi i detyrueshëm gjashtë javor nga ndeshjet garuese, përderisa shumica e bashkëlojtarëve të tij luajnë në Kupën e Botës. Norvegjia e Haalandit nuk është në Botëror.

Edhe në një sezon të rregullt, kur faza e 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve do të caktohej në mesin e dhjetorit, shefat ekzekutivë në tërheqjen e shortit do të refuzonin të flisnin për kundërshtarët.

Përvoja dëshmon se versioni i kundërshtarit që e sheh në dhjetor mund të mos jetë i njëjti me atë që përballesh në serinë me dy ndeshje, të cilat luhen në muajin shkurt dhe mars.

Kjo është edhe më e vërtetë kësaj radhe kur shorti për 1/8 e finales do të tërhiqet më 7 nëntor në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës.

Kupa e Botës është një përkushtim shumë i madh për shumë lojtarë kyç dhe afati kalimtar i janarit, kur ekipet mund të rifreskohen me emra të rinj, pritet të jetë i paqëndrueshëm.

Edhe Caktohet orari, Real Madrid – Manchester City më 11 mars Futboll Caktohet orari, Real Madrid – Manchester City më 11 mars

Periudha e parë e tregut pas Kupës së Botës është e mbushur me kërkesa për lojtarë më pak të shfaqur, por që shkëlqejnë në skenën globale.

Cilindo tregim që e shfaq Liga e Kampionëve në këtë fazë të grupeve nga dita e martë, fotografia e plotë duket shumë larg.