Më 22 shtator, karateistja Fortesa Orana, fitoi njërën prej dy medalje të bronzta të Kosovës në Kampionatin Ballkanik të mbajtur në Tiranë. Si më e mira e Kosovës në kategorinë mbi 68 kilogramë, Orana vlerësohet se meritonte ta kishte një vend në përfaqësuese për Kampionatin Botëror që mbahet në fund të këtij muaji në Budapest të Hungarisë.
Por ajo ishte jashtë listës së selektorit Muhamet Rexhepi deri paraditen e së hënës. Pasdite dha dorëheqje nga Bordi i FKK-së, i dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 shtatorit dhe kështu hapin rrugën për përfshirje në ekip.
Për t’u përfshirë në ekipin përfaqësues të Kosovës, sipas Avni Gashit, Orana u kushtëzua nga grupi i udhëhequr prej Nazmi Gashit dhe Besart Barutit, të cilët kanë nën “ombrellë” selektorin dhe po ashtu qasjen në faqen ku bëhet paraqitja e garuesve për Botëror.
Fortesa Orana edhe të hënën nuk ka dashur të flasë. KOHA e ka kontaktuar karateisten nga Gjilani, që nuk ka komentuar asgjë. Nuk ka treguar nëse i është kërkuar dorëheqja si kusht për t’u ftuar për Botëror.
Në fakt, selektori Muhamet Rexhepi të dielën për KOHËN pranoi se Oranën e penalizon funksioni që ka marrë në FKK si anëtare e Bordit.
Avni Gashi përfaqëson njërin grup të karateisteve, ku në Bord ishte edhe Orana. Ai thotë se nuk ka pranuar asnjë letër që karateistja është dorëhequr nga posti i anëtares së Bordit.
“Pas gjithë atij shantazhi, kërcënimi, sot Fortesa Oranës ia kanë dërguar edhe tekstin e shkruar duke i thënë se lansoje këtë tekst si dorëheqje dhe do të paraqesim për Botëror. Vajza ka kaluar një situatë të tmerrshme psikologjike dhe këtu do të duhej të përdorej autoriteti i gjykatës dhe shtetit. Dikush që bën keqpërdorim të detyrës zyrtare, shantazh mbi bazën e një privilegji, kalon i pandëshkuar. Ajo u ka thënë se dhashë dorëheqje, por realiteti është se ajo nuk ka dorëzuar asnjë letër të dorëheqjes, por dihet që ajo është nën presionin e tyre dhe e ka fundin e karrierës, mbase edhe Botërorin e fundit dhe janë në gjendje ta shfrytëzojnë këtë situatë”, ka thënë Avni Gashi të hënën për KOHËN.
Ai thotë se do t’u drejtohet organeve të drejtësisë për të nisur hetim për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
“Një hetim më i thellë mund ta zbardhë kontaktin që i është bërë Fortesës dhe të tjerëve. Kanë lënë jashtë listës vetëm personat e pabindur. Si zyrtar i FKK-së e kam për obligim edhe ligjor t’u dalë ballë garuesve dhe nuk do të lë mekanizëm ligjor pa përdorur për të sjellë drejtësi, apo personat përgjegjës para drejtësisë. Kjo është vepër e papranueshme dhe besoj se shteti nuk do të duhej t’i lejonte, një, dy apo tre personave të bëjnë ndërhyrje”, është shprehur Avni Gashi.
Sipas Avni Gashit paraqitja në Botëror i është mohuar Melos Gashit, Elmedina Istogut, Redona Gashit, Djellza Sejdijajt, Betim Maliqit, Behije Mustafës, Fatjon Bajramit, Dren Ibrahimit, vetëm pse trajnerët apo klubet e tyre kanë qenë pjesëmarrës në Kuvendin e Jashtëzakonshëm Zgjedhor të mbajtur javën e kaluar.
“Të gjithë këta janë të anashkaluar prej selektorit të ashtuquajtur, Muhamet Rexhepi në bashkëpunim me grupacionin që ka mbajtur kuvend më 4 korrik, i cili është vlerësuar i kundërligjshëm nga MKRS. Isak Curri ka qenë i dënuar nga FKK-ja në kohën sa udhëhiqej nga Ismet Krasniqi. Është i dënuar për dhunë verbale ndaj Fortesa Oranës duke u shprehur në mënyrën më banale ndaj saj si ish-selektor. I njëjti është në gjendje të zhvendos një garues në kategori për t’ia zënë vendin Melos Gashit. Elmedina Istogun e anashkalojnë vetëm pse është garuesja e Fadil Arifit. Nëse garuesi i mirë dhe rastësisht trajneri ka marrë pjesë në kuvendin legjitim të datës 28 shtator, atëherë janë në gjendje ta fshijnë për Botëror”, ka vazhduar Avni Gashi me akuza të rënda.
Nazmi Gashi pranon se Fortesa është përfshirë në listë vetëm pasi ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e Bordit të FKK-së. Ky bord, sipas Nazmi Gashit, është i paligjshëm.
Karateja kosovare ka javë që është ndarë në dy grupime. Grupi i udhëhequr nga Nazmi Gashi dhe Besart Baruti ka ftuar Kuvend të Jashtëzakonshëm Zgjedhor për 7 tetor. Por në rast se nuk zgjidhen telashet e brendshme, FKK-së rrezikohet t’i merret licenca nga MKRS-ja. MKRS më herët e ka pezulluar licencën e FKK-së.
“Nëse ajo nuk do të ishte tërhequr në një formë prej asaj të kundërligjshmes që e ka bërë, sepse ka qenë kuvend i thirrur kundër statutit të FKK-së dhe Bordi aktual i FKK-së është atakuar me atë veprim të anëtarëve të saj. Në bazë të rregullores, nëse mban dy pozita, je garuese vetë dhe mban pozitë të anëtares së Bordit nuk mund të vendosësh për vete. Edhe pse për bordin aktual nuk është i ligjshëm ai kuvend, është dashur të distancohet prej veprimeve të saj për të hyrë në listë, ndryshe nuk do të mund të hysh në listë ashtu siç ka thënë selektori”, ka theksuar Nazmi Gashi për KOHËN.
Ai thotë se në Botëror do të marrin pjesë vetëm garuesit që kanë marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik. Krahas Oranës, medalje të bronztë fitoi edhe Endrit Beka. Ai fitoi në kategorinë deri 75 kilogramë, ndërsa për Botëror është paraqitur në kategorinë deri 84 kilogramë.
“Melos Gashi, Betim Maliqi dhe Elmedina Istogu kanë qëndruar në tribuna. I kemi paguar pjesëmarrjen dhe akomodimin, ndërsa ata kanë qëndruar në tribuna dhe nuk kanë marrë pjesë në gara. E kanë bojkotuar përfaqësuesen e Kosovës. E që në ekipore, impakti i tyre do të ishte i madh, pasi në xhiron e dytë ka pasur luftë me Serbinë. Sikur të ishin këta dy, Kosova do t’i kishte në ekipore shtatë garues të mirë dhe nuk besoj se do të pësonim. Ky sabotim është i sanksionuar edhe me Rregullore Disiplinore. Selektori i Kosovës ka punuar me pajtim të Rregullores dhe nuk ka pasur alternativë tjetër. Për gjitha këto që ka pasur alternativë duke përfshirë Vlera Qerimin, Fortesa Oranën, Alma Lokin, ata që menaxhojnë me klubet e tyre, kanë qenë pjesë e Kuvendit jolegjitim të Avniut. Ne i kemi përfshirë në listë, pasi kanë plotësuar kërkesat e FKK-së”, ka shtuar Nazmi Gashi.
Kosova në Botëror do të paraqitet me gjithsej 14 garues. Gjasat janë të vogla për medalje. Kështu ka thënë edhe vetë selektori i Kosovës, Muhamet Rexhepi.
Gjithë mjegullës së krijuar i shërben edhe mosdeklarimi i Fortesa Oranës. Ajo ishte në Kuvendin e javës së kaluar, tani është në listë për Botëror dhe me shumë gjasë do të jetë edhe në Kuvendin e 7 tetorit.
Aktualisht “karate” në Kosovë po bëhet jashtë arenës. Por lufta është mes vete dhe goditjet e rënda janë vetëm për njëri-tjetrin, jo për karateistët e vendeve të tjera.