Sport

Olimpistit jug-korean i premtohet “pulë e skuqur” për jetë pas suksesit në Pekin

Derisa po largohet nga Pekini me dy medalje olimpike, patinazhisti i garave të shpejtësisë në distanca të shkurtra, jug-koreani Hwang Daeheon tingëllon paksa i lumtur për “pulën e skuqur” që e pret në shtëpi. Hwangut, i cili fitoi medaljen e artë në 1500 metra dhe të argjendtën në 5000 metra stafetë në patinazhin e shpejtë, i është premtuar një furnizim i përjetshëm me “pulë të skuqur”. E këtë premtim ia ka dhënë manjati i industrisë ushqimore “BBQ”, Yoon Hong-geun, i cili gjithashtu shërbeu si shef i misionit atletik i Koresë së Jugut në Lojërat Olimpike të Pekinit.

“Gjëja e parë që dua ta bëjë me dije është të konfirmojë se premtimi për të më furnizuar me pulë të skuqur përjetë është i vërtetë”, tha Hwang kur foli për planet e tij pasi të kthehet në shtëpi. “Pra, për ushqim më nuk duhet të brengosem por vetëm për përgatitje. Fillimisht, do të pushojë paksa se jam lodhur shumë dhe pastaj do të fillojë përgatitjet për kampionatin botëror”.

Yoon, i cili është gjithashtu kryetar i Federatës së Patinazhit të Koresë së Jugut, tha në një postim në “Instagram” javën e kaluar se i kishte bërë me dije Hwangut, që adhuron pulat e skuqura se do të ketë furnizim të përjetshëm falas nëse do të fitonte medalje të artë në Pekin.

“Hwang me të vërtetë po kthehet në shtëpi me medaljen e artë dhe unë do ta mbajë premtimin tim”, kishte shkruar më vonë Yoon.

Ai nuk bëri të ditur se si planifikon të sigurojë pulën e skuqur për Hwangun apo nëse kompania e tij synon që edhe të tjerëve që kanë fituar medalje për Korenë e Jugut në patinazh t’ua ofrojë një shpërblim të tillë. Tani për tani, kompania “BBQ” nuk ka dhënë asnjë shpjegim në lidhje me këtë çështje. Koreja e Jugut ka fituar në total shtatë medalje olimpike në ngjarjet e patinazhit. Ka rrëmbyer dy të arta, katër të argjendta dhe një të bronztë. Yoon kishte premtuar edhe shpërblime me të holla për fituesit e medaljeve olimpike. Ai kishte ofruar 85 mijë dollarë për medaljen e artë, 41 mijë për të argjendtën dhe 25 mijë për të bronztën. Mirëpo, për Hwangun kishte bërë edhe një ofertë tjetër duke pasur parasysh se ai është adhurues i madh i pulës së skuqur të kompanisë “BBQ”.

Po ashtu, meshkujt që fitojnë medalje olimpike për Korenë e Jugut, gjithashtu janë të përjashtuar edhe nga shërbimi ushtarak i detyrueshëm prej dy vjetësh.