Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, është ndarë i kënaqur me angazhimin e futbollistëve të tij në ndeshjen ndaj Malishevës. Por, ai ka thënë se vendimtar ka qenë momenti i pritjes së penalltisë nga portieri Faton Maloku.
Drita fitoi në udhëtim 4:2 ndaj Malishevës, në ndeshjen e javës së tetë të Superligës në futboll. Kjo përballje u zhvillua të shtunën.
“E filluam mirë ndeshjen. Pas pranimit të golit, pritja e penalltisë nga Faton Maloku ishte vendimtare. Jam i kënaqur me angazhimin e lojtarëve, por duhet të përqendrohemi dhe të vazhdojmë të punojmë gjatë këtij pushimi ku do të ketë ndeshje të përfaqësueseve. Pushimin do ta shfrytëzojmë për t’i përmirësuar disa gjëra brenda grupit dhe për të qenë edhe më bindës në ndeshjet e radhës”, ka thënë Nuhiu pas ndeshjes.