Fillimisht pati një festë të madhe në Ibiza të Spanjës. Më pas erdhën festimet mbi një autobus të hapur në një paradë trofesh në qendër të qytetit. Erling Haaland ka qenë në qendër të vëmendjes së bashku me Jack Grealishin, në festimet pas fitimit të tripletës nga Manchester City. Mirëpo kjo nuk paraqet asnjë problem për trajnerin e Norvegjisë, Stale Solbakken, pavarësisht se ekipi i tij ka një ndeshje të madhe kualifikuese për Kampionatin Evropian, që do të luhet të shtunën.
“Të gjithë e kuptojnë dhe gjithashtu unë mendoj se është një ide e mirë”, tha Solbakken të premten për festën e Haalandit, që nisi kur City fitoi Ligën e Kampionëve për herë të parë.
Haalandi pritet t’i prijë sulmit të Norvegjisë në ndeshjen kundër Skocisë që zhvillohet në Oslo. Selektori Solbakken nuk e ka ngarkuar sulmuesin gjatë stërvitjeve, pasi ishte i shqetësuar për lodhjen e tij nga orari i ngarkuar. Ai më shumë është siguruar që Haalandi të pushojë dhe të mbushë bateritë për këtë ndeshje që i takon Grupit A dhe nis në orën 18:00.
Solbakken beson se një pritje e ngrohtë në shtëpi do të motivojë edhe më shumë Haalandin, i cili luajti për herë të fundit për Norvegjinë në shtator të vitit të shkuar. Pa të në përbërje, norvegjezët kanë grumbulluar vetëm një pikë nga dy ndeshjet e para të këtij cikli eliminator. Norvegjezët po luftojnë për dy pozitat e para në grup, në mënyrë që të marrin pjesë në një turne të madh për herë të parë që nga Evropiani i vitit 2000, i cili u zhvillua disa javë para se të lindej Haalandi.
Në 53 ndeshje të zhvilluara për Cityn në të gjitha garat, Haaland ka shënuar 52 gola. E ka mbyllur edicionin e parë në “Etihad Stadium” në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai iu bashkua Cityt verën e shkuar nga Borussia Dortmundi, ndërsa me fanellën e Norvegjisë ka 21 gola të realizuar në 21 ndeshje të luajtura deri më tani.
“Natyrisht që populli norvegjez e ka parë Haalandin në televizion për një kohë të gjatë, pa e parë nga afër. Kështu që besoj se norvegjezët do ta mirëpresin dhe duartrokasin për sukseset me Manchester Cityn”, tha Solbakken. “Kjo ndoshta do t'i japë atij edhe pak motivim që ndoshta i mungon për shkak se nuk ka qenë për një kohë të gjatë me ne dhe do të ketë dëshirë të madhe për ta ndihmuar ekipin me gola. Do të jetë përfundimisht një përforcim i madh për ne këtë muaj pas rezultateve jo të mira që i patëm në mars”.
Solbakken insistoi se do të jetë i detyruar të luajë me Haalandin në ndeshjet e këtij muaji, përkundër që ai ka pasur një orar të ngjeshur me fanellën e Cityt. Ai shtoi se nuk ka zgjedhje për të zëvendësuar një lojtar si Haalandi.
“Kur erdhi këtu nuk dukej sikur kishte shkuar në rrugën e Grealishit”, tha Solbakken, duke iu referuar reprezentuesit anglez, i cili u fotografua duke pirë alkool në festimet e Cityt. “Nëse Grealish arriti të stërvitet për Anglinë, atëherë edhe Haalandi është në gjendje të luajë për Norvegjinë në këto ndeshje të rëndësishme”.
Tri ditë pas ndeshjes me Skocinë, Norvegjia do të përballet në udhëtim me Përfaqësuesen e Gjeorgjisë. Aktualisht Grupit A i prin Skocia me 6 pikë të mbledhura, tri më shumë se Spanja që renditet e dyta. Gjeorgjia është e treta me një pikë.