Kampionati Evropian është gara e radhës për xhudisten Nora Gjakova. Nora synon vend në podium në kampionatin kontinental, ndërsa suksesi që kishte të premten në Tbilisi të Gjeorgjisë i ndihmon shumë. Ajo ka ndier siguri në të gjitha luftërat. Nora fitoi të artën dhe është gati për ngjarjet kulmore të këtij viti. Ajo ka folur për KOHËN pas suksesit në Tbilisi
Evropiani për seniorë është aktualisht fokusi i Nora Gjakovës. Paraqitja e shkëlqyeshme që kishte të premten në Tbilisi të Gjeorgjisë, Nora shpreson se do t’i shërbejë për Kampionatin Evropian që mbahet prej 16 deri më 18 prill në Lisbonë të Portugalisë.
Nora Gjakova të premten e fitoi medaljen e artë në Grand Slamin në Tbilisi të Gjeorgjisë. Turnetë Grand Slam janë pjesë e turit botëror të xhudos. Pra janë prej garave më të vlerësuara. Por medaljet në kampionate zyrtare, si Evropiani, megjithatë kanë vlerë tjetër.
Me paraqitje si në Tbilisi, Nora nuk do të ketë problem për të zënë vend në podium në Evropian. Ajo ka shumë medalje evropiane, ndërsa e synon titullin tjetër në kategorinë deri 57 kilogramë.
28-vjeçarja në Tbilisi shënoi katër fitore me Ippon për të arritur në finale. Mposhti ukrainasen Mariia Skora, austriaken Sabrina Filzmoser, serben Marica Perishiq dhe sllovenen Kaja Kajzer. Në finale u përball me gjeorgjianen Eteri Liparteliani, e cila në gjysmëfinale e befasoi kampionen në fuqi të botës, kanadezen e natyralizuar, Christa Deguchi.
Xhudistja pejane kontrolloi tërësisht luftën finale dhe nuk u rrezikua asnjëherë. Ndërkohë realizoi aksion për “Waza-ari” që në fund doli i mjaftueshëm për medaljen e artë.
“Garën e kam filluar mirë. Në fakt, kisha pak stres për shkak se garën e fundit e kisha para dy muajve. Por në secilën luftë jam ndier mirë e më mirë”, ka thënë Gjakova për KOHËN.
Ajo ka një shpjegim për paraqitjet bindëse.
“Në këtë garë kam qenë pak më agresive se zakonisht. Por kam qenë shumë e sigurt dhe i kam kontrolluar pa problem kundërshtaret”.
Për Norën ishte e arta e dytë në Grand Slame. Ka edhe një të bronztë. Këtë vit medalje të bronztë kishte fituar në Mastersin në Doha, më 11 janar. Vitin e kaluar i kishte po ashtu dy të bronzta, ndërsa të artën e kaluar e kishte fituar po në Tbilisi më 29 mars të vitit 2019. Atëbotë gara në Tbilisi ishte Grand Prix e tashmë është avancuar në Grand Slam. Të artë të tjetër në Grand Slam kishte në Abu Dhabi në vitin 2018.
Nora aktualisht është e gjashta në ranglistën olimpike në kategorinë deri 57 kilogramë. Pra, normën e ka të konfirmuar. Por suksesi i së premtes i garanton asaj avancim në ranglistë dhe pozitë më të përshtatshme për Lojërat Olimpike në Tokio.
Njëjtë i rëndësishëm vlerësohet edhe stabiliteti që ka krijuar para Evropianit.
“Kjo medalje e artë është shumë e rëndësishme për pikët olimpike dhe për besimin që ma jep para Kampionatit Evropian, që është gara e radhës”, ka theksuar Gjakova.
“Paraqitja e sotme më jep materie për të analizuar se në cilin drejtim dua të përmirësohem. Është motiv i madh për mua për garat e ardhshme”.
Sajti zyrtar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos ka shkruar se Nora ka shfaqur forcë për të fituar të artën.
“Të dy finalistet kanë investuar energji dhe forcë të jashtëzakonshme në finale dhe për të kontrolluar pjesën e epërme të trupit. Në këtë lojë Gjakova përfundimisht ishte lojtare më e mirë dhe pasi realizoi ‘Waza-ari’ ajo kontrolloi pjesën e mbetur të luftës për të fituar të artën”, ka shkruar IJF-ja.
Në Tbilisi të shtunën garojnë edhe Akil Gjakova e Laura Fazliu. Akili, vëllai i Norës, është pretendues për medalje, ndërsa Laura kërkon pikët për të mbetur në garë për normë për Lojërat Olimpike.
Të dielën garon Loriana Kuka, po ashtu pretenduese për medalje.
Pas triumfit të Norës, presioni mbi ekipin e xhudos mund të jetë më i vogël. Që pas ditës së parë gara mund të vlerësohet e suksesshme. Të tillë e bën medalja me shkëlqim ari.
“Nora ka shfaqur formë të mirë. Është paralajmërim për Evropian. Ajo ka shfaqur siguri dhe stabilitet që janë të rëndësishme për gara të mëdha”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.