Londër, 11 tetor – Mesfushori i Chelseat dhe Përfaqësueses së Anglisë, Mason Mount, tha të hënën se ishte e veçantë të shihte emrin e tij të përfshirë në listën e ngushtë të 30 lojtarëve konkurrentë për ta fituar “Topin e Artë”.
Por 22-vjeçari këmbënguli se ai sapo ka filluar ngritjen, pas një viti në të cilin ndihmoi Chelsean ta fitojë Ligën e Kampionëve, si dhe Anglinë që të arrinte në finalen e “Euro 2020”.
“Ishte e veçantë. Të shohësh veten aty dhe të jesh përkrah atyre emrave është pa dyshim një ëndërr e realizuar”, u tha Mount gazetarëve para ndeshjes kualifikuese të Anglisë për botërorin “Katari 2022” kundër Hungarisë, të martën.
“Puna e madhe që e kam bërë gjatë gjithë këtyre viteve është shpaguar me përfshirjen time në listën e të nominuarve për ‘Topin e Artë’. Është vetëm fillimi, nuk e kam ndërmend të ndalem tani”.
Mount nuk do të fitojë çmimin, me Lionel Messin që mbetet favorit për ta fituar atë për herë të shtatë, pasi e udhëhoqi Argjentinën drejt lavdisë në Kupën e Amerikës.
“Unë dyshoj, por kurrë nuk dihet”, shtoi Mount. “Gjëja më e rëndësishme për mua është që të vazhdoj të përpiqem të arrij nivelet që kam vendosur më parë dhe të shkoj edhe më tej”.
Edhe
Kane lavdëron selektorin e Anglisë
Mount përballet me konkurrencë të fortë vetëm për të ruajtur vendin e tij në formacionin më të fortë të përzgjedhësit Gareth Southgate. Phil Foden i Manchester Cityt shkëlqeu në fitoren e fundit të Anglisë ndaj Andorrës, të cilën e mposhti me rezultatin e thellë, 5:0. Southgate pranoi se do të bëjë ndryshime të mëdha për ndeshjen me Hungarinë, që luhet në Londër. Harry Kane dhe Raheem Sterling janë ndër ata që do të kthehen në ekip, por shefi i shtabit teknik të Anglisë tha se është e pamundur të kënaqësh të gjithë me një grup të tillë talentesh.
“Kam dhimbje koke dhe kryej një krim sa herë që zgjedh një ekip. Është shumë e vështirë çdoherë. Ne kemi kaq shumë lojtarë të mirë dhe një konkurrencë kaq të mirë, të fortë për secilin vend”, tha Southgate.
Futbollistët e Southgate kanë një epërsi prej katër pikësh në Grupin I ndaj Shqipërisë dhe pesë pikë më shumë se Polonia që renditet e treta, kur kanë mbetur edhe tri ndeshje deri në fund të këtij cikli eliminator. Vendi i Anglisë në Katar vitin e ardhshëm do të konfirmohej me fitore ndaj hungarezëve dhe me një barazim mes Shqipërisë dhe Polonisë, të cilat takohen në Tiranë.