Prishtinë, 28 janar – Pas nëntë humbjeve rresht në kualifikimet për Botërorin 2018, Kosova luajti një ndeshje miqësore me Letoninë, më 13 nëntor 2017 në Mitrovicë. Kundërshtari nuk kishte ndonjë peshë në futbollin ndërkombëtar dhe ndonjë emër të njohur në përbërje. Rrjedhimisht ndeshja nuk ishte se bëri shumë bujë para se të zhvillohej.
Por, ndryshe ishte pas saj. Falë një fundi dramatik dhe goli të realizuar në minutën e 94-t, Kosova fitoi 4:3. Ishte një pikë kthese e jashtëzakonshme. Pas nëntë humbjeve rresht, disa prej tyre shumë të larta, futbollistët e Kosovës më në fund po shijonin fitoren. Për më tepër ishte fillimi i një serie impresive. Kosova nuk pësoi humbje në 15 ndeshje rresht, që ishte e veçantë për një përfaqësuese të re. Seria u ndërpre më 10 shtator 2019, kur “Dardanët” pësuan në Southampton nga Anglia (5:3).
Letonia vazhdon të jetë përfaqësuese shumë e panjohur për tifozët e futbollit në vend. Dhe një përfaqësuese tjetër e panjohur baltike do të jetë përballë Kosovës në ndeshjen e parë të këtij viti.
Më 24 mars, në Prishtinë, do të zhvillohet ndeshja Kosova – Lituania. Pas rezultateve dëshpëruese vitin e kaluar, shpresohet se ndeshja me Lituaninë do të jetë një fillim i ri i mbarë për përfaqësuesen e Kosovës.
Estonia, Letonia dhe Lituania janë tri shtetet baltike. Nuk janë të njohura për futboll. Madje, Lituania është dukshëm më e njohur për nivelin që e ka në basketboll. Basketbolli është sporti numër një në Lituani, shtetin me 2.8 milionë banorë.
Kosova e luan ndeshjen me Lituaninë në prag të kualifikimeve për Botërorin 2022. Më 28 mars, katër ditë pas ndeshjes me Lituaninë, Kosova e pret Suedinë. Ndërsa, më 31 mars luan në udhëtim ndaj Spanjës. Do të jetë vështirë të arrihen rezultate pozitive ndaj Suedisë, e sidomos ndaj Spanjës, por një rezultat i mirë ndaj Lituanisë do të ishte me shumë peshë për të kthyer vetëbesimin në përfaqësuese.
Kosova në fakt do të jetë favorite ndaj Lituanisë. Të paktën ranglista e FIFA-s përcakton këtë. Kosova në ranglistë është e 117-a, ndërsa Lituania e 129-a. Nga viti 1940 e deri në vitin 1990, Lituania ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik. Prej vitit 1990, Lituania luan si përfaqësuese e pavarur dhe deri më tani nuk është kualifikuar në ndonjë ngjarje të madhe.
Në kualifikime për Botëror, Lituania ka fituar 17 prej 73 ndeshjeve të zhvilluara. Ka 40 humbje. Ndërsa, në kualifikimet për Evropian ka fituar 20 prej 66 ndeshjeve, ndërsa i ka humbur 37.
Lituania në kualifikimet për Botërorin 2018 ishte e parafundit në grup. La pas vetëm Maltën. Në kualifikimet për “Euro 2020” ishte e fundit, pas Ukrainës, Portugalisë, Serbisë e Luksemburgut. Lituania për selektor e ka Valdas Urbonasin. Lituania nuk ka ndonjë lojtar në nivelet e larta evropiane, për dallim nga Kosova që shumë lojtarë i ka në top-ligat evropiane.
Së fundi, Lituania ishte në grup me Shqipërinë në Ligën C të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Mbeti e treta në grup me Shqipërinë, Bjellorusinë e Kazakistanin. Mori 8 pikë nga gjashtë ndeshje. Lituania kishte fituar 1:0 ndaj Shqipërisë më 7 shtator të vitit të kaluar në Tiranë, ndërsa barazoi pa gola më 14 tetor në Vilnius. Para triumfit në Tiranë, Lituania nuk kishte fitore në ndeshje zyrtare që nga viti 2016.
Në Ligën C garoi edhe Kosova që u rendit e treta, pas Sllovenisë e Greqisë dhe para Moldavisë. Kosova në gjashtë ndeshje grumbulloi pesë pikë.
Te Lituania kanë vlerësuar ndeshjen ndaj Kosovës.
“Jemi të lumtur të njoftojmë për ndeshjen e parë të këtij viti. Ndeshja me Kosovën do të jetë një test i rëndësishëm për Lituaninë para fillimit të kualifikimeve për Botërorin 2022. Ne shpresojmë që COVID-19 nuk do të vështirësojë këtë udhëtim dhe që ekipi ynë do të jetë në gjendje t’i bëjë tifozët e futbollit të lumtur”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Lituanisë, Edgaras Stankeviçius.
Për shkak të situatës me koronavirus, ndeshja me Lituaninë me shumë mundësi do të luhet pa shikues në stadium. Pa përkrahjen e shikuesve, Kosova nuk e ka forcën e njëjtë. Me shumë gjasa pa shikues do të luhen edhe ndeshjet e kualifikimeve për Botëror, të paktën ato të marsit.