Një sportist shqiptar ka udhëhequr të shtunën mbrëma skuadrën e tij zvicerane drejt një suksesi të madh. Kjo nuk do të ishte e veçantë nëse do të bëhej fjalë për futboll. Ka kohë që shqiptarët janë shumë të suksesshëm në futbollin e shtetit helvetik. Shqiptarët janë shumë të përfaqësuar në skuadrat dhe në përfaqësueset e Zvicrës.
Është Luigj Quni që arriti suksesin jotipik të shtunën mbrëma. Ai si kapiten udhëhoqi skuadrën GC Amicitia Zuerich drejt triumfit në garën për Kupën e Zvicrës. Bëhet fjalë për skuadrën e hendbollit. Quni është pjesë e rëndësishme e Përfaqësueses së Kosovës në hendboll dhe shumë i vlerësuar në skuadrën e tij zvicerane.
26-vjeçari shquhet për shpirtin luftarak dhe për profesionalizmin. Këto tipare e kanë ndihmuar që të bëhet kapiten i skuadrës që në moshën 26-vjeçare.
Në finalen e së shtunës ndaj Pfadi Winterthur, pivoti kosovar shënoi pesë gola. Ishte prej më të mirëve. Winterthuri është skuadër dukshëm më e madhe se GC Amicitia dhe ishte favorit i madh. Por Quni me shokë bënë befasi të madhe. GC Amicitia fitoi pas dy vazhdimeve nga pesë minuta me shifrat 30:28.
“Ende jam pak pa fjalë. Si kapiten jam shumë krenar me ekipin. Do të isha njëjtë edhe me humbje. Kemi prezantuar veten ashtu si duhej ta prezantonim. Kemi luftuar deri në minutën e fundit të vazhdimit të dytë”, ka thënë Quni të dielën për KOHËN.
Përkushtimi maksimale e dallon atë edhe te Përfaqësuesja e Kosovës. I përgjigjet vazhdimisht ftesës së Kosovës dhe shquhet për profesionalizmin. Në fakt, është i vetmi hendbollist i Kosovës që luan në liga elitare të Evropës.
“Në këtë edicion kemi fituar ndaj Pfadi Winterthur një herë. Kemi fituar një pikë edhe ndaj titanit të ligës, Kadetten Schaffhausen. Kështu kemi dëshmuar se mund t’i mposhtim të gjithë. Nuk fshihemi, pavarësisht se kundër kujt luajmë”, ka shtuar Quni.
Ai ka festuar me pasion, ndërsa ka thënë se triumfi në garën për Kupë është prej momenteve të mëdha të karrierës.
“Është një prej momenteve më të mira në karrierën time, së bashku me fitoren në udhëtim ndaj Rumanisë me Kosovën dhe ndeshjen e parë me Kosovën ndaj Turqisë”.
Quni është i vetmi shqiptar në elitën e Zvicrës në hendboll. Për Kreuzlingenin luajnë katër reprezentues të Kosovës, Valon Dedaj, Bujar Ramosaj, Haris Berisha e Drenit Tahirukaj. Kjo skuadër udhëheq në kategorinë e dytë dhe pritet të promovohet në elitë për edicionin e ardhshëm.
Në përgjithësi, numri i fëmijëve dhe i të rinjve shqiptarë që merren me sporte të tjera në Zvicër është shumë i vogël nëse krahasimi bëhet me futboll. Shumica e familjeve shqiptare në këtë vend i orientojnë fëmijët për karrierë në futboll. Ka arsye për këtë – suksesi madhor që kanë arritur shqiptarët në futbollin helvetik. Mjafton të përmenden Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka për të dëshmuar këtë.
Kështu suksesi i Qunit fiton edhe më shumë në vlerë.
“Shpresoj se mund të bëj pak promovim për komunitetin shqiptar këtu në Zvicër. Po ashtu, shpresoj se së shpejti do të kemi edhe shqiptarë të tjerë në ligë”, ka shtuar Luigj Quni, që me prejardhje është nga Klina.
Ai ka luajtur një vit në elitën e Norvegjisë, ndërsa periudhën tjetër të karrierës e ka kaluar në Zvicër.
“Kam nisur të luaj hendboll falë vëllait tim më të madh. Kur fitova rastin të provohem te ekipi U19 i GC Amicita Zuerich, më është thënë se nuk jam aq i talentuar, por se mund të vërehet që vërtet e dua këtë. GC-ja ka një prej programeve më të mira të stërvitjes për hendboll në Zvicër. Kam ushtruar fort dhe gjatë që të bëhem më i mirë. Kështu ia dola në nivelin profesional, me punë shumë të madhe”, ka treguar Quni.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka arritur fitore kohë pas kohe, duke përfshirë disa vërtet të mëdha. Por nuk ka arritur ndonjë kualifikim deri më tani. Quni është optimist për të ardhmen.
“Mbrëmë kam realizuar një prej synimeve personale, një synim që ia kam vënë vetes disa vjet më parë. Të luaj në Evropian apo në Botëror me Kosovën po ashtu është një prej synimeve të mia. Do të jap çdo gjë për të arritur këtë synim. Për vendin tonë dhe për hendbollin në Kosovë. Është synim që ia kam vënë vetes. Nëse vazhdojmë këtë rrugëtim me Përfaqësuesen, ne do të arrijmë këto synime”, ka thënë Luigj Quni.
