Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Një nga ndeshjet që dyshohet të jetë e kurdisur

Futbolli kosovar është tronditur mbrëmjen e së enjtes nga publikimet e mediave franceze, të cilat pretendojnë se klubi që bën gara në Superligën e Kosovës, Llapi, ka kurdisur katër ndeshje për një periudhe njëvjeçare, sipas hetimeve të autoriteteve franceze.

Dhe një nga ndeshjet që dyshohet të jetë kurdisur është ajo mes Llapit dhe Feronikelit, e luajtur më 24 shkurt të vitit 2022, në stadiumin “Zahir Pajaziti”, të cilin e fituan vendasit 4:2.

Është mjaft interesante të shihen golat e shënuar në këtë ndeshje. Llapi shënon katër gola në pjesën e parë, ndërsa pëson dy në të dytën.

Pikërisht dy golat e shënuar nga Feronikeli lënë hapësira për dyshim. Në të parin, reagimi i mbrojtjes së Llapit është qesharakë, ndërsa në të dytin, portieri vendas del nga porta dhe humb duelin me sulmuesin e Niklit, Kiqinën.

Në fakt, Feronikeli në atë periudhë luante me lojtarë të rinj për shkak të problemeve financiare. Feronikeli u shua si klub, ndërsa një klub i ri, Feronikeli ‘74 hyri në mënyrë të dyshimtë në Ligën e Parë këtë sezon.

Edhe Raporti i Interpolit përmend dyshimet për kurdisje në futbollin kosovar Sport Raporti i Interpolit përmend dyshimet për kurdisje në futbollin kosovar

VIDEO:

Llapit ka reaguar në orët e para të së premtes lidhur me raportimet se është përfshirë në kurdisje ndeshjesh. Kanë thënë se këto po bëhen për ta njollosur emrin e klubit.

Gazeta e madhe franceze, Le Parisien, ka shkruar të enjten mbrëma se Llapi i Podujevës është ekipi i dyshuar për kurdisje të rezultatit të ndeshjeve në Superligën e Kosovës në futboll.

Sipas Le Parisien, rrjeti i të përfshirëve është i madh, ndërsa janë edhe anëtarë të stafit drejtues dhe teknik të Llapit, si dhe disa lojtarë të kësaj skuadre.

Edhe Reagime të zakonshme për akuza të jashtëzakonshme Sport Reagime të zakonshme për akuza të jashtëzakonshme

FFK-ja ka thënë se nuk është në dijeni për shkrimet në Francë, ndërsa nga MKRS-ja kanë thënë se janë njoftuar dhe se një Këshill kundër Dhunës po merret me rastin.