Golem, mars – Në njërin kënd qëndronte kampionia olimpike nga Kosova. Në një kënd tjetër ishte kampionia olimpike nga Sllovenia, ndërsa në mes tyre fituesja e medaljes së argjendtë olimpike dhe kampionia evropiane nga Italia.
Ato dhe dhjetëra xhudistë të tjera, kryesisht elitare nga shumë vende, rreshtohen dhe qëndrojnë të qeta kur Driton Kuka jep shenjë për të filluar stërvitja. Është ora fiks 10:00 dhe të gjitha xhudistet dhe trajnerët janë në tendën e madhe të vendosur në oborrin e një hoteli në Golem, në afërsi të Durrësit.
Në hotelin buzë detit Adriatik, trajneri Kuka dhe Federata e Xhudos e Kosovës për dy javë kanë mbajtur një kamp ndërkombëtar të nivelit të lartë. Xhudiste cilësore nga 12 shtete të ndryshme morën e po marrin pjesë në kampin që përfundon të shtunën. Pos xhudisteve më të mira të Kosovës, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka e të tjera, në stërvitjen në të cilën KOHA ishte prezentë, ishin edhe xhudistet nga Sllovenia, të udhëhequra nga kampionia olimpike, Tina Trstenjak. Tek ekipi i Italisë emri më i njohur ishte Odette Giuffrida, të cilën Majlinda e kishte mposhtur në finale të lojërave olimpike “Rio 2016”. Në tendën e improvizuar si palestër, të mbushur me dyshekë të xhudos, ishin edhe garueset më cilësore nga Turqia, Azerbajxhani, Çekia e Kroacia. Atë periudhë në kamp ishin edhe xhudistet më të mira të Izraelit, por që kishin vendosur të lëshonin stërvitjen e paradites për një seancë në sallën e fitnesit. Ndërkohë në kamp erdhën edhe xhudiste nga Brazili dhe disa vende të tjera si Polonia e Bullgaria. Disa u larguan pas javës së parë, ndërsa në përgjithësi shifra arrin në 12 vende dhe afro 100 top-xhudiste.
Përfitimet nga kampi
Duket pak e mundur që në një vend me xhudo të nivelit thuajse inferior si Shqipëria të organizohet një kamp me xhudiste elitare nga pjesë të ndryshme të botës. Por niveli që ka arritur xhudoja kosovare, rejtingu që ka trajneri Driton Kuka dhe nxënësit e tij, e bënë këtë të mundur. Është hera e dytë që FXHK-ja organizon kamp ndërkombëtar në afërsi të Durrësit. Emri i Kukës dhe nxënësve të tij është joshës për xhudiste nga vendet që këtë sport e kanë shumë të zhvilluar.
Ku është Kuka ka stërvitje cilësore, seriozitet dhe rregull. Ku janë Majlinda, Nora, Distria, Loriana e të tjerat ka luftëra të forta. Për stërvitje cilësore dhe luftëra të forta janë të interesuara të gjitha top-ekipet botërore të xhudos. Edhe ekipi kosovar i xhudos përfiton nga kampet e forta. Luftërat cilësore në stërvitje, kundërshtaret e shumta dhe luftërat rresht u duhen nxënësve të Kukës në një fazë të rëndësishme të vitit, ku synohen medaljet evropiane, botërore e olimpike.
Por ky nuk është përfitimi i vetëm nga kampi. Ardhja e delegacioneve të shumta sjell të mira materiale për Shqipërinë, ndërsa përmirëson pamjen e Shqipërisë në sytë e sportistëve nga vendet e tjera.
Marjan Fabjan flet për këtë. Ai është legjendë e sportit të Sllovenisë. Trajneri më i madh i këtij vendi mund të mburret me shumë medalje olimpike, botërore e evropiane. Prej fillimit të pandemisë Fabjan ka lëvizur fare pak. Ka qëndruar gati i izoluar në Slloveni. Por vendosi të pranojë ftesën e Kukës, mikut të tij të mirë, për pjesëmarrje në kamp. Dhe fjalët e tij janë në superlativ për kampin e për Shqipërinë.
“Duke u bazuar në fjalët e të tjerëve, mund të them se Shqipërinë e kam menduar 20 vjet prapa. Por po e shoh që është zhvilluar shumë. Ka gjëra shumë interesante këtu në afërsi të hotelit tonë. I kam fotografuar të gjitha. Unë po kaloj shumë mirë. Pas një kohe të gjatë pa lëvizur, ky kamp, kjo vizitë në Shqipëri, më ka shërbyer shumë”, ka thënë Fabjan pas stërvitjes që zgjati për 100 minuta.
Ai gjatë stërvitjes ka dhënë vazhdimisht këshilla për xhudistet e tij. Por ka qëndruar ulur, për dallim prej trajnerëve të tjerë.
“Kampi është i mirë. Ka xhudiste cilësore, të nivelit të lartë dhe stërvitjet janë të mira. Ne të gjithë po kalojmë shumë mirë këtu në Golem”, ka shtuar Fabjan.
Disa prej ekipeve, si ai i Turqisë e Izraelit, janë për herë të dytë në Golem. Ekipet e Turqisë, Izraelit dhe Sllovenisë janë më të afërta me ekipin e Kosovës. Stërvitin shpesh së bashku. Trajnerët e këtyre tri përfaqësueseve kanë bashkëpunim të ngushtë me Driton Kukën.
Aktualisht xhudistet kosovare kanë sukseset më të mëdha në këtë mes. Por suksese edhe më të mëdha synohen nga Kosova e po ashtu nga Sllovenia, Turqia e Izraeli. Kampi në Golem vlerësohet të jetë në këtë shërbim.
Kuka tregon pse zgjodhi Golemin
Fjalimi i Kukës që hap stërvitjen, nuk zgjat shumë. Ai si nikoqir i dëshiron mirëseardhje ekipit të Azerbajxhanit që atë ditë i bashkohej kampit.
Pasi tregon në pika të shkurtra se çka do të përmbajë stërvitja, Kuka jep urdhër për të filluar ngrohja e zakonshme. Ushtrimet përgatitore për luftëra, disa prej tyre shumë atraktive, i udhëheq Nora Gjakova. Pas saj vazhdojnë Majlinda, Distria, Loriana e të tjerat.
Trajneri Kuka përcjell me vëmendje stërvitjen, ndërsa trajnerët e tjerë qëndrojnë anash. Komunikimi bëhet në gjuhën angleze, pos kur Kuka komunikon me garueset e tij. Pas ushtrimeve të ndryshme për ngrohje dhe ushtrimeve teknike, vjen koha për luftëra.
Luftërat janë pjesa kryesore e kampeve të kësaj natyre. Ndërrimi i kundërshtareve, luftërat e shumta e të vazhdueshme janë pjesë kyç e sportit të xhudos. Stërvitja është e intensitetit më të lartë, ndërsa luftëra bëjnë një herë garueset e kategorive më të lehta (48, 52 e 57 kilogramë) e më pas ato të kategorive më të rënda.
Distanca mes trajnerëve krijohet natyrshëm kur fillojnë luftërat. Secili fokusohet te garueset e veta. Ka shumë strategji me rastin e zgjedhjes së kundërshtareve për luftëra. Disa më të shkathëta i rezervojnë ato për disa luftëra rresht, vazhdimisht duke i ndërruar.
Kundërshtaret ndërrohen nga raundi në raund, por jo të gjitha përballen me njëra-tjetrën. Për shembull, Majlinda asnjëherë nuk u përball me italianen Giuffrida, që e ka rivale.
Gjatë luftërave ka shumë djersë e në raste edhe gjak. Luftërat janë pa kompromis, ndërsa pas përfundimit të tyre zgjatet dora. Kuka në bazë të planit stërvitor tregon nëse luftëra do të zgjatë tre minuta, pesë minuta, shtatë minuta apo një minutë. Tregon se secila e ka rëndësinë e vet.
Këshillat e trajnerëve për garueset e tyre janë të vazhdueshme. Flitet për lëvizje teknike, strategji në mbrojtje e sulm dhe gjëra tjera që bëjnë dallimin në sportin e xhudos. Kuka vazhdimisht jep këshilla për xhudistet e tij dhe vrojton herë njërën herë tjetrën.
Për rreth një orë, secila xhudiste kalon shifrën e dhjetë luftërave. Dhe stërvitja arrin efektin e synuar.
Sërish xhudistet rreshtohen e përballë tyre qëndrojnë trajnerët. Stërvitja e rregullt përfundon dhe tani është koha që ushtrime përmbyllëse të bëhen në grupe. Garueset e Kosovës kthehen në vendin e tyre, aty ku ishin në fillim të stërvitjes. Për xhudistet e reja këshilla pos Toni Kukës jep edhe Majlinda Kelmendi. Ajo fokusohet për t’ua shpjeguar xhudisteve të reja disa lëvizje teknike të sulmit dhe mbrojtjes. Duken gjëra të vogla, por që bëjnë dallimin në luftëra të mëdha. Dhe Majlinda nuk ndalet duke dhënë këshilla e duke bërë përmirësime.
Në fund të stërvitjes xhudistet shihen të lodhura e të shpenzuara. Flasin pak. Ruajnë energjinë për stërvitjen e pasdites. Janë të mësuar me këtë ritëm dhe e dinë rëndësinë e fazës së pushimit.
Për nga numri dominojnë xhudistet e Turqisë. Ato vijnë shpesh edhe në Kosovë. Kuka është një lloj mentori i trajnerit të përfaqësueses së Turqisë, Ercan Çakiroglu.
“Ishte një stërvitje e mirë, është një kamp i mirë. Toni është këtu dhe nuk mund të jetë ndryshe. Kur ai është këtu çdo gjë është në rregull”, thotë Çakiroglu.
I kënaqur është edhe Kuka. Ardhja e kaq shumë përfaqësueseve e gëzon. Në kohë pandemie, kur lëvizja është goxha e kufizuar, grumbullimi i përfaqësueseve në një vend është sfidë. Por ai ia del. Nuk heq dorë nga synimi për të ofruar sparing cilësor për nxënëset e tij.
Kuka tregon pse ka vendosur të mbajë kampin në Golem e jo në Pejë.
“Temperatura është më e lartë e po ashtu organizimi këtu është shumë më i mirë. Jemi thuajse të izoluar. Në hotel jemi vetëm ne, ndërsa nuk ka asgjë afër. Në kohë pandemie kjo është me shumë rëndësi. Ushtrojmë në oborr të hotelit, nuk largohemi prej tij. Në Pejë do të ishte i pamundur një organizim i tillë”, ka treguar Driton Kuka.
“Kushtet janë shumë të mira. Për akomodim e ushqim të gjitha delegacionet kanë fjalët më të mira. Kjo për ne ka shumë rëndësi. Të gjithë janë të kënaqur e po ashtu kampi ka efekt. Ofron luftëra të forta, që për mua është me shumë rëndësi”, thotë trajneri bindshëm më i suksesshëm shqiptar.
Pasi drekojnë, xhudistët e trajnerët qëndrojnë kryesisht në dhomat e tyre. Pushojnë dhe bëhen gati për stërvitjen e pasdites. Është stërvitje po ashtu e fortë, me gjëra të tjera, por pa u ikur luftërave. Sërish shumë strategji, angazhim e djersë. Është djersë që shpërblehet me medalje në garat më të mëdha.
{gallery}