Sport

Një i ndaluar për 48 orë dhe një person në kërkim për sulmin ndaj arbitrave në Viti

Një person është ndaluar për 48 orë, një tjetër është në kërkim dhe një tjetër është liruar, për sulmin ndaj arbitrave në ndeshjen Vitia – 2 Korriku (1:2) e zhvilluar të dielën në fushën me bari sintetik në Sadovinë, në kuadër të xhiros së 13-të të Ligës së Parë, Grupi B. Të tre gjyqtarët, kryesori Fatmir Tahiri dhe asistentët e tij, Fatmir Abrashi dhe Fisnik Rama, janë sulmuar fizikisht pas ndeshjes. Që të tre kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Gjilanit, derisa pas trajtimit të marrë janë liruar për në shtëpi.

KOHA të dielën mbrëma ka mësuar se me vendim të Prokurorit të Shtetit, i ndaluari për 48 orë është A. Sahiti, zyrtar i klubit Vitia, derisa është liruar në procedurë të rregullt trajneri i kësaj skuadre, Milaim Zuzaku. Ndërkohë, personi i tretë i përfshirë në sulm, që është i njohur për Policinë, është ende në kërkim.

“Është kompletuar lënda deri në këtë fazë dhe një nga tre personat e dyshimtë, A.S., është ndalur për 48 orë. M. Z. është liruar, kurse një person është në kërkim, por i njohur për Policinë e Rajonit të Gjilanit. Është cilësuar lëndim i lehtë trupor nga ana e Prokurorit. Incidenti ka ndodhur pas ndeshjes Vitia – 2 Korriku në shenjë pakënaqësie. Tre persona kanë kërkuar trajtim mjekësor, të cilët më vonë janë liruar për në shtëpitë e tyre”, ka thënë të dielën mbrëma për KOHËN zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Në fakt, në një video amatore që ka qarkulluar gjatë ditës shihet kur trajneri i Vitisë, Milaim Zuzaku është futur në një prej veturave të Policisë. Por, ai është liruar pas intervistimit në stadiumin policor në Viti.

Në klubin Vitia janë distancuar nga incidenti, ndonëse të paktën dy prej atyre që sulmuan arbritrat janë pjesë e klubit.

Në një komunikatë të klubit Vitia thuhet se përgjegjësia bie mbi personat e punësuar në FFK. E FFK-ja nuk reaguar për këtë incident.

“FC Vitia nuk qëndron prapa incidentit të ndodhur pas ndeshjes ndaj 2 Korrikut dhe nuk marrim përgjegjësi për veprimet. Përgjegjësia kryesore bie mbi personat e punësuar në FFK të cilët njihen nga i gjithë opinioni futbolldashës në Kosovë se ata vendosin çdo vit kush hyn në Superligë e kush bie nga liga. Ata në këtë xhiro kishin deleguar mjeshtrin e të gjitha të këqijave që kanë ndodhur në futbollin kosovar në vitin e fundit, të madhin Fatmir Tahiri, i cili kishte përkrahjen e dyshes tjetër Fatmir Abrashi dhe Fisnik Rama”, shkruan ndër të tjera në komunikatën e klubit Vitia.

Në këtë ndeshje, siç merr vesh KOHA, kanë qenë tre zyrtarë të Policisë së Kosovës.

“Kanë qenë tre policë, por rrahja që ka ndodhur është e njëjtë si e viteve të 90-ta. Nuk do koment ajo skenë. Problem kanë pasur edhe vëzhguesi dhe persona të tjerë, të cilët nuk janë lejuar të filmojnë incidentin”, i ka thënë KOHËS një zyrtar i FFK-së që ka qenë i pranishëm në ndeshje.

Është hera e parë këtë edicion që ndodh një incident i tillë. Ka kohë që nuk janë sulmuar fizikisht arbritrat.