Java e kaluar do të mbahet gjatë në mend nga futbollisti me prejardhje nga Kosova, Dorian Nikolla, që la pas vetes lëndimin e gjurit që e mbajti për tetë muaj jashtë fushës, për të debutuar me ekipin e parë të Orebros, që është pjesë e elitës së futbollit të Suedisë. Nikolla, që është pjesë e ekipit U-19 të Orebros, të hënën e shkuar ka mbajtur stërvitjen e parë me ekipin A, kurse menjëherë të mërkurën ka debutuar.
Ai luajti 15 minutat e fundit të ndeshjes kundër Hovsta IF, të cilën e fitoi Orebro me rezultatin 7:4 në kuadër të “Myresjohus Cup”. Pas përfundimisht të ndeshjes, 18-vjeçari që luan në rolin e mesfushorit defensiv është përgëzuar nga trajneri Axel Kjaell që i ka lënë të hapur mundësinë për t’i dhënë minutazhë edhe në kampionat përgjatë këtij edicioni.
“Prejse jam rikthyer nga lëndimi që më detyroi të pauzoja për tetë muaj, kam stërvitur me ekipin U19 përpara se të hënën të ftohem për të stërvitur me ekipin e parë, kurse të mërkurën të debutoj. Ishte një ndjenjë fantastike dhe mbi të gjitha jam i lumtur që jam rikthyer në këtë mënyrë pas lëndimit”, ka thënë Nikolla për gazetën. “Pas kësaj paraqitje shpresoj të kem hapësirë edhe në kampionat, por më nevojitet edhe pak kohë që të forcohem pas lëndimit. Por, e rëndësishme është që shenjat janë të mira dhe trajneri më përgëzoi për ndeshjen e luajtur”.
Nikolla vitin e shkuar iu bashkua Orebros dhe ka kontratë edhe për një vit e gjysmë. Në fakt, Nikolla është dashur të bënte këtë hap vitin e shkuar, por lëndimi dy javë para se të fillojë stërvitjet me ekipin e parë ia pamundësoi një gjë të tillë.
“U lëndova në një lojë miqësore me ekipin U21 dhe u detyrova t’i nënshtrohesha operimit. Tash pres që gjërat të shkojnë mirë për shkak se jam i vendosur për ta dëshmuar veten”, ka thënë Nikolla, i cili krahas hapësirës në ekipin e parë do të aktivizohet edhe te U19. “Do të jem në dispozicion edhe të ekipit të parë edhe U19. Me U19 synojmë titullin e kampionit, kurse me ekipin e parë një pozitë sa më të mirë në tabelë”.