Në mes të edicionit 2017/18 në Premier League, kur ishte pranë vendosjes së rekordit për ndeshje të fituara, trajneri i Manchester City, Pep Guardiola zbuloi sekretin e suksesit të skuadrës së tij.
“Ne kemi një supermen në ekip”, u tha ai gazetarëve. “Të gjithë flasin për lojtarë të tillë si Raheem Sterling, David Silva, Kevin De Bruyne, Sergio Aguero dhe ata e meritojnë këtë. Por nëse do të doja të tregoja një lojtar që meriton respekt të plotë për atë që ka bërë deri më tani, ai është Nico Otamendi. Ai është një nga garuesit më të mëdhenj që kam parë ndonjëherë në jetën time. Ai është kaq i rëndësishëm. Pa Nicon, nuk do të ishte e mundur ajo që kemi bërë”.
E njëjta gjë tani vlen edhe për ecurinë e Argjentinës deri në finalen e Kupës së Botës “Katari 2022”.
Fakti që një 35-vjeçar, Lionel Messi, ka luajtur çdo minutë të çdo ndeshje, nuk është edhe aq befasues pasi ai konsiderohet ndër lojtarët më të mirë. Rregullat normale nuk zbatohen për një lojtar që po tregohet i pandalshëm në turneun e Katarit, gjë që e dëshmoi në gjysmëfinale ndaj Kroacisë. Messi ishte i pandalshëm edhe për Joshko Gvardiolin, i cili është 15 vjet më i ri dhe po konsiderohet ndër mbrojtësit më të mirë të Botërorit.
Megjithatë, tek Argjentina është edhe një lojtar tjetër, por ai kujdeset për mbrojtjen. Nicolas Otamendi nuk ka lëshuar asnjë sekondë dhe kjo është vërtet e veçantë. Dukej se Otamendi ishte lojtar që ditët më të mira i kishte lënë prapa, kur City e la të largohej për në Benfica në vitin 2020 si pjesë e marrëveshjes që pa Ruben Diasin të lëvizte në drejtim të kundërt.
Guardiola ruajti gjithë respektin për Otamendin, por mbrojtësi po paguante një çmim për “mentalitetin e tij si luftëtar”.
“Ai është një djalë që luan me probleme, me goditje, me probleme muskulore dhe gjithmonë është aty – është e pabesueshme”, tha Guardiola. “Por ne thjesht menduam se na duhej një skuadër më e re. Ai tani është më shumë se 30 vjeç”.
E megjithatë ja ku është Otamendi, dy vjet më vonë, duke shijuar një rilindje të jashtëzakonshme. Otamendi ishte gjithmonë i pranishëm teksa Benfica kaloi dy runde kualifikuese dhe më pas arriti në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve të këtij sezoni, si fituese e një grupi që përmbante Juventusin dhe Paris Saint-Germainin. Jo keq për një lojtar që shkaktoi një penallti në debutimin e tij. Në të vërtetë në atë kohë frika mes tifozëve të Benficas ishte se klubi u mashtrua nga City, që ua kishte dhënë Otamendin në muzg të karrierës.
Pavarësisht fillimit të fortë në edicionin aktual, kishte një ndjenjë se ai mund të ishte lidhja e dobët e Argjentinës në Katar. Otamendi, megjithatë nuk ka luajtur aspak keq. Siç tregojnë statistikat, ai nuk ka bërë asnjë gabim të vetëm në mbrojtje. Ai ka qenë më i miri.
Otamendi ka ofruar prani të madhe në prapavijë, duke fituar më shumë duele ajrore se çdo mbrojtës tjetër – 20. Për më tepër, kur Cristian Romero po vuante duke u përballur me Robert Lewandowskin në ndeshjen e rëndësishme të Argjentinës në Grupin C, ishte Otamendi ai që ndërroi vendin për ta ruajtur polakun.
Ajo që bie në sy ka qenë kontributi i tij në ruajtjen e posedimit të topit të Argjentinës. Guardiola gjithmonë e ka lavdëruar Otamendin për fuqinë fizike dhe mendore për të luajtur në Premier League. Ai nuk ishte vetëm i guximshëm në ndërhyrje, theksoi Pep, ishte i guximshëm edhe në top. Dhe, këtë po e dëshmon sërish në Katar. Otamendi është një kërcënim në zonën kundërshtare me aftësinë e tij me kokë dhe padyshim që ishte i rëndësishëm asistimi për golin e Messit kundër Australisë. Otamendi ka qenë më i rëndësishëm për zhvillimin e lojës së Argjentinës, duke bërë më shumë pasime të suksesshme (462) se çdo bashkëlojtar i tij dhe duke dhënë më shumë topa të gjatë (11) se çdo lojtar tjetër. Këto janë shifra të jashtëzakonshme për një lojtar që shumë tifozë mendonin se thjesht po udhëtonte në Katar për të siguruar mbulim për Romeron dhe Lisandro Martinezin.
Të dielën ai do të bëjë paraqitjen e 100 në nivel ndërkombëtar në një finale të Kupës së Botës. Ky udhëtim i çmendur mund të kurorëzohet me titull dhe një paraqitje të mirë në finale. Franca ka një sulm të shkëlqyer por Otamendi është zotuar se do të kujdeset edhe për këtë.
“Ne do të bëjmë më të mirën. Ne jemi një ekip prej 26 luftëtarësh. Ne luftojmë për njerëzit dhe për veten tonë”, insistoi ai.
Sigurisht që do të jetë një betejë, por një betejë që padyshim mund ta fitojnë. Messi nuk do të jetë “supermani” i vetëm i Argjentinës në këtë ndeshje. Ashtu si kapiteni i tij, Nicolas Otamendi po sfidon vlerësimet në këtë Kupë Botërore dhe po konsiderohet si “supermani” tjetër i Argjentinës.