Sport

Nga turpërimi në lavdi – udhëtimi i jashtëzakonshëm i Realit

Real Madridi fiton Ligen e Kampioneve

Triumfi i fundit i Real Madridit në Evropë është ndërtuar nga momente dramatike dhe kthesa të jashtëzakonshme. Është arritur tetë muaj pasi Reali ishte në anën e keqe të një prej ndeshjeve më shokuese në histori të Ligës së Kampionëve.

Në shtatorin e vitit të kaluar te gjiganti spanjoll, Real Madrid, po bënin një hetim pasi humbën në shtëpi nga skuadra moldave, Sheriff Tiraspol, në fazën grupore të Ligës së Kampionëve.

Të shtunën mbrëma Reali fitoi titullin evropian për herë të 14-të, pasi në finale mposhti Liverpoolin me shifrat 1:0. Tani Real Madridi ka dyfish më shumë tituj të kampionit evropian se skuadra e dytë më e suksesshme.

Pas fishkëllimës së fundit trajneri i Realit, Carlo Ancelotti, ka festuar në fushë me lojtarët e tij. Ishte fundi i një rrugëtimi të pabesueshëm e po ashtu dramatik.

“Me gjasë Reali në shumë prej ndeshjeve nuk ishte ekipi më i mirë në Ligën e Kampionëve këtë edicion”, ka thënë për BBC-në eksperti francez i futbollit, Julien Laurens.

Ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit dhe Anglisë, Rio Ferdinand ka thënë për BT Sports: “Këta djem kanë bërë gjëra të jashtëzakonshme. Nuk pritej që Real Madridi ta bënte këtë. Por Reali e ka kapërcyer çdo pengesë dhe guxim dhe vendosmëri”.

Rruga më e vështirë deri në finale

Reali ka humbur katër herë në 12 ndeshjet e Ligës së Kampionëve në rrugën për në finale. Sa për krahasim, humbja në “Stade de France” ishte e katërta e Liverpoolit në 63 ndeshje në të gjitha garat në edicionin 2021/2022.

Por me gjithë këto humbje, skuadra e Carlo Ancelottit e përfundoi kampanjën si më e mira në Evropë. Ishte një kampanjë e jashtëzakonshme.

Ishte 2:0 mbrapa në përballje me PSG-në në një të tetën e finales, para se të shënonte tre gola për 17 minuta për të avancuar tutje.

Dramatike ishte edhe çerekfinalja me Chelsean, kampionin e edicionit të kaluar. Ndaj Chelseat, Reali fitoi me rezultat të përgjithshëm 5:4. Rodrygo kishte shënuar në minutën e 80-të të ndeshjes së dytë për të siguruar vazhdimet. Më pas Karim Benzema shënoi golin e kualifikimit, në minutën e 96-të.

Dhe më pas madrilenët prodhuan kthimin e të gjitha kthimeve në gjysmëfinale ndaj Manchester Cityt.

Reali ishte mbrapa skuadrës së Pep Guardiolas me rezultatin e përgjithshëm 5:3, kur kishte mbetur vetëm edhe një minutë në kohën e rregullt të ndeshjes së dytë. Por më pas braziliani Rodrygo shënoi dy gola të shpejtë për ta dërguar ndeshjen në vazhdime.

Benzema, që ka shënuar shtatë gola ndaj ekipeve angleze në Ligën e Kampionëve këtë edicion, dërgoi skuadrën madrilene në Paris me golin nga penalltia.

Edhe ndaj Liverpoolit në finale, Reali është dashur të përballojë një fillim të furishëm nga skuadra e Juergen Kloppit. Dhe arriti fitoren, ndonëse i kishte vetëm dy goditje në kornizë të portës.

“Asnjëherë nuk kam parë rrugë më të vështirë deri në finale”, ka shtuar Ferdinand.

“Madrilenët kanë mposhtur PSG-në e më pas edhe kampionin e Anglisë. Është e veçantë”.

Ish-lojtari i Real Madridit dhe Liverpoolit, Steve McManaman, ka shtuar: “Madridi e bën atë që e bën gjithnjë. Kur shkon në finale i fiton ato. Ka qenë suksesi më i madh për këtë skuadër për shkak të mënyrës dhe stilit. Kjo skuadër e Madridit është më e dobët, por ka shkuar në finale dhe ka fituar trofeun”.

Qesharake nëse Benzema nuk e fiton Topin e Artë

Ndonëse nuk ka shënuar në finale, Karim Benzema ishte dukshëm më i miri në triumfin e fundit evropian të Real Madridit.

Ancelotti ka nxjerrë më të mirën nga sulmuesi 34-vjeçar francez, që ka shënuar 15 gola në Evropë këtë edicion, duke përfshirë dy “hat-trick”. Ai është golashënuesi më i mirë i Championsit. I dyti ishte Robert Lewandowski me 13 gola.

A do të jetë kjo e mjaftueshme që Benzema ta fitoi Topin e Artë, që i ndahet lojtarit më të mirë në botë?

“Debati për ‘Ballon d’Or’ ka përfunduar. Nëse Benzema nuk e fiton atë, kjo do të ishte qesharake”, ka thënë Rio Ferdinand.

Askush nuk e ka fituar Ligën e Kampionëve si trajner aq sa Ancelotti. Ai të shtunën festoi për herë të katërt pas triumfit në garën elitare evropiane.

“Jam njeri i rekordeve”, ka thënë italiani pas ndeshjes. “Mendoj se kemi kaluar përmes disa ndeshjeve shumë të vështira”.

Reali harroi Mbappen

Real Madridi ka shpresuar të sigurojë sulmuesin francez, Kylian Mbappe, më herët këtë javë. Por sulmuesi vendosi të qëndrojë te Paris Saint-Germaini.

Vendimi i Mbappes nuk u pranua lehtë. Mediat në Madrid ishin aq të zemëruara, sa që u morën me mosmarrëveshjen më shumë se me finalen e Ligës së Kampionëve që ishte në prag.

Por Reali e la gjithë këtë prapa për të fituar betejën me Liverpoolin dhe për të siguruar festë të madhe në Madrid.

“Kjo është gjeneratë e jashtëzakonshme. E ka fituar Ligën e Kampionëve pesë herë në tetë vjetët e fundit. Është gara më e madhe në nivel klubesh, më e vështira për ta fituar”, ka shtuar Laurens.