Quique Setien më shumë është i mësuar t’i kontrollojë fushat me lopë sesa të jetë në qendër të vëmendjes në një prej stadiumeve më të famshme botërore, por trajneri i ri i Barcelonës është zotuar se do të sjellë stil të pakompromis sulmi për katalanët.
Meqë e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij prej trajneri në ligat e ulëta të Spanjës, askush nuk do ta fajësojë Setienin nëse do të ndihej paksa nervoz me idenë e drejtimit të një ekipi me disa prej talenteve më të shtrenjta të botës së futbollit, raporton Reuters.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPor Setien është i etur të dëshmojë se e kaluara e tij modeste prej trajneri nuk do ta ndalojë atë që të lë shenjë me kampionët e Spanjës në Camp Nou.
“Dje po ecja pranë lopëve në fshatin tim e sot jam në fushën e stërvitjeve të Barcelonës duke trajnuar lojtarët më të mirë në botë”, ka thënë 61-vjeçari, i cili merr fronin nga Ernesto Valverde dhe ka nënshkruar kontratë deri në qershor të vitit 2022, transmeton Koha.net.
“Është një klub vigan dhe kurrë nuk do të bëhet më i mirë se ç’është tani. Kurrë nuk e kam imagjinuar se do të jem këtu, madje as në ëndrrat e mia më të çmendura, prandaj dua të shfaq mirënjohjen time që më është dhënë ky shans”.
Barça ka fituar dy edicionet e fundit të La Ligas dhe aktualisht qëndron e para në tabelë por vendosën të shkarkojnë Valverden të hënën pasi u lodhën nga performancat joinspiruese të ekipit.
Setien ishte një zgjedhje befasuese për të marrë drejtimin e Barçës për shkak se jashtë Spanjës pak e njohin, ndonëse reputacioni i tij si një ideolog sulmues ka emocionuar fansat që ndiejnë se ekipi i tyre e ka humbur shkëlqimin.
“Objektivi im është të fitoj gjithçka që mund të fitohet dhe për mua nuk ka mënyrë më të mirë për ta bërë këtë duke u përmirësuar çdo vit. Rruga më e sigurt drejt fitores është duke luajtur mirë, është me rëndësi të mbahet mend kjo”, shtoi Setieni.
“Kam ide shumë të qarta, i dëgjoj të gjithë por është e vështirë të më bindin për t’i ndryshuar metodat e mia. Jam mbrojtësi më i madh i ekipit tim dhe do të vdes me idetë e mia”.
Setieni mori drejtimin e një klubi të kategorisë së parë për herë të parë me Las Palmasin më 2015 por famën e mori gjatë drejtimit dyvjeçar me Real Betisin ku përfshihet edhe fitorja mjeshtërore 4-3 si mysafir i Barçës.