Mbrojtësi i krahut, Faton Neziri që është pjesë e skuadrës së Dukagjnit, është zgjedhur lojtari më i mirë i xhiros së 18-të të Superligës së Kosovës në futboll. Neziri e ka fituar çmimin “Ylli i Javës” pas vlerësimit të bërë nga ana e komisionit të veteranëve të futbollit, ka njoftuar FFK-ja të hënën. Neziri ishte më i merituari që Dukagjini e mposhti skuadrën e Gjilanit në ndeshjen e fundit të stinorit vjeshtor.
Dukagjini triumfoi me rezultatin 1:0, ndërsa Neziri krahas paraqitjes së mirë në këtë duel, e shënoi edhe golin e fitores. Për Nezirin, kjo është hera e parë që merr çmimin “Ylli i Javës” për këtë edicion, gjë që e ka vlerësuar shumë.
“Ky sezon ka shkuar mirë për ekipin tonë, por shpresoj që edhe në pranverë do të kemi paraqitje edhe më të mira”, ka thënë Neziri ndër të tjera për faqen zyrtare të FFK-së. Skuadra e Dukagjinit e ka mbyllur stinorin vjeshtor të Superligës në pozitën e gjashtë në tabelë me 24 pikë të tubuara.