Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Nënshkruhet memorandumi për Evropianin e xhudos në Prishtinë

Të martën është nënshkruar memorandumi për organizimin e Kampionatit të hapur Evropian të xhudos, që më 16 dhjetor mbahet në Prishtinë. Është hera e parë që në Kosovë mbahet një ngjarje e madhe e xhudos.

Xhudistët kosovarë ka disa vjet që janë në kulmin botëror, ndërsa më 16 dhjetor për herë të parë do të paraqiten në vend në një ngjarje serioze.

Në Evropianin në konkurrencë të hapur do të garojnë xhudistet deri në 57 kilogramë dhe xhudistët deri 73 kilogramë. Pra xhudiste të tri kategorive të ndryshme do të garojnë për titull e po ashtu xhudistë të tri kategorive të ndryshme. Shpërblimi financiar është shumë atraktiv.

Memorandumi i bashkëpunimit për organizimin e Evropianit është nënshkruar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Atë e kanë nënshkruar ministri Hajrulla Çeku, kryetari i Federatës Evropiane të Xhudos, Laszlo Toth, dhe kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka.

“Sukseset e xhudistëve të Kosovës në botë janë të mëdha dhe emocionet që na i dhurojnë nëpër gara ka ardhur koha të na i dhurojnë edhe në shtetin tonë. Më 16 dhjetor Prishtina për herë të parë do të jetë nikoqire e Kampionatit të hapur Evropian. Pra shteti ynë do të presë një ngjarje shumë të madhe sportive”, ka thënë ministri Çeku.

Edhe Vazhdojnë sukseset e xhudos, Kosova e organizon Kampionatin Evropian Sport Vazhdojnë sukseset e xhudos, Kosova e organizon Kampionatin Evropian

Sipas tij, përfitimet e Kosovës nga ky Evropian do të jenë në shumë drejtime. Çeku ka thënë se do të marrin pjesë xhudistë nga 40 shtete evropiane.

Kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, ka premtuar organizime të tjera të mëdha.

“Do të jetë ngjarja më e rëndësishme e vitit 2023 dhe shpresoj që në vitin 2024 dhe më pas do të organizojmë gara të tjera të rëndësishme në kuadër të Federatës Evropiane të Xhudos dhe pse jo të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos”, ka thënë Agron Kuka.

Kryetari i EJU-së, Toth, është shprehur krenar që Kosova do të organizojnë Evropian. Ai ka vlerësuar xhudistët kosovarë.

Edhe EJU-ja e impresionuar me Evropianin në Prishtinë: Do të shihemi vitin tjetër Sport EJU-ja e impresionuar me Evropianin në Prishtinë: Do të shihemi vitin tjetër

“Në emër të EJU-së fillimisht dua të përgëzoj federatën kosovare për rezultatet e suksesshme në Olimpiadën e fundit. Ne jemi shumë krenarë për vendin tuaj, një anëtar i Unionit Evropian të Xhudos, i suksesshëm në garat ndërkombëtare. Organizimi i këtij Evropiani është nder dhe respekt i madh për Federatën e Xhudos së Kosovës”, ka thënë Toth.

Kampionati i hapur Evropian është ngjarje e re e EJU-së, që sivjet u përfshi në kalendarin zyrtar.