Vendimet e diskutueshme të VAR-it, që shkuan në favor të Real Madridit në ndeshjen e së dielës, shtuan edhe më shumë polemikat në futbollin spanjoll. Ekipi madrilen i shpëtoi humbjes së turpshme nga skuadra më e dobët në La Liga në ndeshjen ku pati shumë punë për sistemin VAR.
Real Madridi përfitoi nga tri rishikime të videove në pjesën e dytë dhe më pas shënoi gol të vonshëm për ta eliminuar deficitin prej dy golave dhe për ta mposhtur 3:2 Almerian e vendit të fundit, të dielën mbrëma. Me këtë fitore Reali mbajti gjallë shpresat për titull, në të kundërtën do t’i dëmtonte shumë ato. Kjo ndeshje është bërë ndër më të diskutuarat vitet e fundit në futbollin spanjoll.
“Dikush vendosi që ne mos të mund të fitonim këtu”, tha mbrojtësi i Almerias, Marc Pubill.
Më i ashpër ishte reagimi i mbrojtësit tjetër, Gonzalo Melero: “Kemi ndjenjën se në këtë ndeshje na u mor diçka”.
Trajneri Gaizka Garitano nuk kishte fjalë për të përmbledhur atë që ndodhi. Ai deklaroi se nuk donte të thoshte shumë për të shmangur sanksionimin. Ankesat shkuan përtej atyre nga Almeria - klubi në pronësi saudite që humbi një shans për t'i dhënë fund serisë prej 21 ndeshjesh pa fitore në ligën spanjolle.
Edhe
Futbolli i mirë dhe fitoret e mëdha ndihmojnë Barcelonën ta lërë anash skandalin
“Grabitje”, ishte titulli në faqen e parë të së përditshmes sportive “Mundo Deportivo” me bazë në Barcelonë, të hënën. “Arbitrat i dhurojnë Madridit fitoren”.
Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez tha se “të gjithë e panë se çfarë ndodhi” në stadiumin “Santiago Bernabeu”.
“Tashmë e kam thënë, do të jetë shumë vështirë për ta fituar këtë ligë”, tha Xavi pasi ekipi i tij triumfoi ndaj Real Betisit. “Këto gjëra nuk kanë më kuptim jo vetëm për mua, por për askënd”.
Rivaliteti mes Barcelonës dhe Real Madridit shpesh bartet në polemika të vendimeve të arbitrave, me të dyja skuadrat që akuzojnë njëra-tjetrën se po favorizohen nga zyrtarët e ndeshjeve. Barcelona vitin e kaluar u akuzua zyrtarisht se kishte bërë pagesa prej miliona eurosh gjatë disa viteve ndaj një kompanie që i përkiste zëvendëspresidentit të komitetit të arbitrave të futbollit të Spanjës. Komentatorët në kanalin televiziv të Real Madrid thanë se drejtësia u vendos të dielën dhe se vendimet e VAR-it ishin të gjitha të sakta.
Trajneri Carlo Ancelotti tha pas ndeshjes se e kuptonte pse Almeria ishte i mërzitur, por mendonte se të gjitha vendimet e gjyqtarit ishin të duhurat.
Edhe
Barcelona synon ta japë “goditjen” përfundimtare për titull
Real Madridi po humbiste 2:0 në pjesën e dytë kur vendimet e VAR-it nisën të ecnin. Një penallti u dha në favor të Realit për lojë me dorë brenda zonës, që ngushtoi rezultatin në 2:1, përpara se Almerias t’i anulohet goli i tretë për faull në sulm. Pastaj Reali barazoi me anë të Vinicius Juniorit, goli i të cilit fillimisht u anulua për lojë me dorë por pas intervenimit të VAR-it u pranua.
Liga spanjolle i lëshoi të gjitha audio incizimet për diskutimet e VAR-it në këtë ndeshje, por Almeria u ankua se arbitrit nuk iu treguan imazhet nga këndet e duhura. Sipas Almerias edhe një faull ndaj lojtarit të saj nuk u analizua mirë gjatë rishikimeve.
Ish-arbitri Alfonso Perez i tha të përditshmes “Marca” të hënën se të tri vendimet ishin me shumë interpretime por “për mendimin tim ishin të mjaftueshme që arbitri të mos i anulonte vendimet e tij fillestare”.
Diskutimet për këto vendime sigurisht se do të vazhdojnë edhe për një kohë të gjatë, ndonëse rezultati i ndeshjes nuk do të ndryshohet. Me këtë fitore Reali do ta vazhdojë garën për titull, kurse Almeria do të mbetet pa triumfin e parë këtë edicion.
Edhe
Barcelona dorëzon ankesën në UEFA për VAR-in në humbjen nga Atletico
Aktualisht, Reali është i dyti në tabelë me 51 pikë, një më pak se Girona që prinë në La Liga por ka një ndeshje më shumë të luajtur. Almeria mbetet e fundit me vetëm gjashtë pikë.
“Mos prisni këtë herë që ta publikojmë raportin e ndeshjes. Ajo çka ndodhi ishte shumë e qartë”, ka shkruar Almeria të hënën në rrjetet e saj sociale.