Sport

Një lojtar me koronavirus te klubi ku luajnë disa futbollistë shqiptarë

Një lojtar i klubit të Kategorisë së Dytë të Danimarkës, Vejle, ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Lajmi është bërë i ditur nga klubi.

Te Vejle luajnë Arlind Ajeti, Ylber Ramadani, Arbnor Muçolli e Lundrim Hetemi. Vejle është duke kryesuar në kategorinë e dytë dhe po synon të rikthehet në elitë.

Emri i lojtarit të infektuar nuk është bërë i ditur.

“Fatkeqësisht, ne kemi mësuar se një lojtar është testuar pozitiv për COVID-19”, ka thënë drejtori i Vejles, Henrik Tonder, për faqen zyrtare të klubit. “Por, ne mund të shohim se protokollet janë duke funksionuar dhe e ndaluam lojtarin të takohet me pjesën tjetër të skuadrës. Tre lojtarë tjerë që kanë pasur kontakt me lojtarin e infektuar të dielën janë izoluar. Ata do të testohen dhe do të kthehen në stërvitje nëse del se nuk janë të infektuar. Te lojtari i infektuar nuk vërehen simptoma”, ka thënë Tonder.

Superliga e Danimarkës pritet të rikthehet më 28 maj dhe ndeshjet do të luhen pa shikues. Ende nuk ka datë për rifillimin e Kategorisë së Dytë.